bato2
Moderator
Art Changed The World
Posts: 1,352
|
Post by bato2 on Oct 22, 2010 1:34:42 GMT -5
Kristo Frashëri: Tre të vërtetat për të cilat gënjen Janullatos
Nga Kristo Frashëri
Kush gënjen Kristo Frashëri apo Anastas Janullatosi? Kur disa javë më parë dërgova në shtyp artikullin tim mbi çështjen e Hima rës nëse është ose jo krahinë minoritare greke, midis atyre që vrapuan të spekulonin mbi vrasjen e fatkeqit Aristotel Guma, përmendja dhe Hirësinë e tij Anastas Janullatosin, kryepeshkopin e Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë. Nuk ngurrova ta quaj si një emisar të nacionalizmit grek. Mendova se ai nuk do të prekej aq tepër në sedër, sepse me të vërtetë është me kombësi greke. Në fakt, unë i kalova kufijtë e sjelljes sime ndaj një kryepeshkopi, mbasi unë e padisja në tri çështje jo të këndshme për të. E para, e kritikova për “trisainë” (përshpirtjen) që ai celebroi jo për ushtarët grekë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore në tokën e Shqipërisë në luftë kundër okupatorëve italianë fashistë, por sepse përfshiu në radhët e ushtarakëve të vërtetë grekë edhe arkivole me eshtra të fshatarëve, madje edhe të fëmijëve shqiptarë, të vdekur para dhe pas luftës italo-greke. Sa më shumë e mendoj, aq më tepër më duket një akt i shëmtuar që nuk i ka hije një prelati të lartë të kishës. Më duket një akt, që mund ta kryejnë vetëm banditët e varreve, por kurrsesi një hirësi që mban në gjoks kryqin e Krishtit dhe ca më tepër emrin e kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në rastin më të mirë prisja që hirësia e tij ta anashkalonte duke heshtur për këtë veprim për të cilin është bërë zhurmë edhe në shtypin tonë të përditshëm, madje vazhdon edhe sot e kësaj dite të përshpëritet me neveri nga banorët e rrethit të Përmetit. Por, hirësia e tij ndoshta duke kujtuar se ne jemi syleshë e ngacmon vetë plagën dhe justifikohet duke thënë se ai atje bekoi eshtrat e martirëve të rënë në luftë për lirinë e atdheut të tyre, eshtra para të cilave edhe ne përulemi, por jo para arkivoleve të blera 100 apo 200 euro për copë. E dyta, i kujtoja veprimet e tij të padrejta, i cili po pengon nëpërmjet fijeve të tij të dukshme e të padukshme zyrën e Përmbarimit të Përmetit, që të zbatojë vendimin e miratuar nga të tre shkallët e gjyqësorit shqiptar për t’ia kthyer bashkësisë përmetare shtëpinë e kulturës “Naim Frashëri”. Për ata që nuk e dinë, u kujtojmë se para luftës në cepin veriperëndimor të truallit ku është ngritur shtëpia e kulturës ka qenë një kishë me përmasa modeste, me emrin “Shën Mëria e Pazarit”. Banorët e moshuar e dinë se ajo kishë u rrënua gjatë luftës së fundit. Në vitet ’50 trualli ku ishte ngritur kisha u përfshi në truallin ku u ndërtua shtëpia e kulturës “Naim Frashëri” me një sipërfaqe disa herë më të madhe se ajo që kishte “Shën Mëria e Pazarit”. Gjykata e Përmetit ia njohu kishës truallin ku qe ngritur faltorja. Meqenëse vlera e godinës e ndërtuar nga shteti ishte më e madhe se çmimi i truallit, gjykata vendosi që kisha të shpërblehet me një sipërfaqe dy herë më të madhe në një vend tjetër. Ngjarje të tilla analoge kanë ndodhur edhe në vise të tjera të Shqipërisë. Ka ndodhur madje në Tiranë, në qendrën e kryeqytetit. Në truallin ku sot është ngritur hotel “Tirana International” më parë ndodhej katedralja e Tiranës kushtuar Hyjlindëses. Hirësia e tij kryepeshkopi Anastas Janullatos nuk e ngriti zërin për të marrë hotelin, por u kënaq me kompensimin që i dha bashkia apo shteti në një vend tjetër të kryeqytetit. Por, në Përmet pse po ngul këmbë aq shumë? Pse kërkon me çdo kusht të vërë dorë mbi shtëpinë e kulturës? Konstruksioni i shtëpisë së kulturës nuk ka mundësi të shndërrohet në kishë. Për t’u shndërruar në kishë ajo duhet shembur nga themeli. Ç’del nga kjo? Nga kjo del se hirësia e tij, kryepeshkopi A. Janullatos nuk do që Përmeti të ketë një shtëpi kulture shqiptare. Do që ta shndërrojë shtëpinë e kulturës shqiptare në një shtëpi kulture helenike, ndonëse Përmeti nuk ka fare banorë grekë etnikë. Edhe në këtë rast, hirësia e tij i bën bisht përgjigjes. Thotë shkurt: i takon kishës se aty ka qenë dikur kishë. Pra, është njësoj si të thuash e dua hotel “Tirana International”, sepse në një cep të sipërfaqes që ajo zë dikur ka qenë kishë. Vijmë te çështja e tretë, e cila është me të vërtetë çështje skandaloze. Shkurtimisht, ajo ka të bëjë me të ashtuquajturin fronëzim të Anastas Janullatos, peshkopit të Andrusës (Greqi), më 2 gusht 1992 në katedralen e Hyjlindëses së Tiranës si kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në vitin 1991, me shembjen e regjimit komunist për shkak të gabimeve të rënda e të pafalshme që kreu Enver Hoxha në luftën e mbrapshtë që ai ndërmori kundër institucioneve fetare, bashkësitë fetare të Shqipërisë mbetën pothuajse të gjitha pa kokë, pa rrjet institucionesh, pa funksionarë të përshtatshëm të kultit dhe me shumë pak faltore që kishin shpëtuar nga furia e rrënimeve të tyre. Të gjitha bashkësitë fetare të Shqipërisë – myslimane, bektashiane, katolike, ortodokse – për të rimarrë veten kishin nevojë për ndihmën e miqve dhe dashamirësve të tyre që ndodheshin jashtë Shqipërisë. Para së gjithash, kishin nevojë të sqaronin se cilën kushtetutë do të kishin për bazë në rimëkëmbjen e tyre. Kjo për arsye se kushtetutat që ishin miratuar në kongreset e tyre të para të zhvilluara në periudhën midis dy luftave botërore, kishin pësuar dy goditje të rënda, madje njëra prej tyre një goditje vdekjeprurëse. Pa e shtrirë bisedën në të gjitha bashkësitë fetare të Shqipërisë, do të përqendrohemi vetëm në rastin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (më tej: KOASh). Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, e themeluar nga Kongresi i saj në Berat më 17 shtator 1922, ishte miratuar pas përpjekjeve të gjata nga Patriarkati Ekumenik i Kishës Lindore, pra e Kishës Ortodokse, me “Tomin” e lëshuar me vulë të artë më 1937. Kjo kushtetutë ka për historinë e KOASh-it një rëndësi kardinale, mbasi ajo përmban të gjitha prerogativat që e sanksionojnë atë si një kishë kombëtare shqiptare, ashtu siç janë kushtetutat e kishave nacionale ortodokse të vendeve të ndryshme. Një nga pikat e saj të rëndësishme ishte skalitur në nenin 16, ku thuhet se të gjithë peshkopët, në mënyrë specifike kryepeshkopi i KOASh-it, duhet të jenë me kombësi dhe shtetësi shqiptare. Më 1939 okupatorët fashistë italianë e cenuan këtë parim. Në emërimin e kryepeshkopit të KOASh, u hoq kushti i kombësisë. U la si kusht vetëm nënshtetësia shqiptare. Ky qe sigurisht një hap prapa kundrejt parimeve që kishin kërkuar rilindësit tanë të mëdhenj dhe pjesëmarrësit e kongresit I të Kishës. Me këtë ndryshim u hapën dyert për t’u bërë kryepeshkop kushdo, mjafton të merrte nënshtetësinë shqiptare. Vazhdojmë më tej. Pas luftës, kur në Shqipëri u vendos regjimi komunist shteti shqiptar në mënyrë arbitrare i dha kishës një kushtetutë tjetër, e cila synonte ta shndërronte kishën në një levë të sistemit të saj qeverisës. Por, edhe kjo kushtetutë nuk pati jetë të gjatë, mbasi më 1967, në kohën e të ashtuquajturit revolucionarizim i jetës së mëtejshme, kur veprimtaria fetare u nxorr jashtë ligjit dhe kur u çmontuan të gjitha institucionet fetare, së bashku me to u bënë të paqena të gjitha kushtetutat e institucioneve fetare, përfshirë dhe atë të KOASh-it. Kjo qe gjendja më 1991 kur u përmbys regjimi komunist në Shqipëri. Pyetja që shtrohej në atë kohë ishte kjo: nga duhej filluar? Cili statut duhej të merrej për bazë për KOASh-in? Meqenëse në mungesë të peshkopëve Shqipëria nuk mund të kishte një sinod të rregullt kishtar, çfarë rruge duhej ndjekur për të zgjedhur kryepeshkopin e saj? Veç kësaj, meqenëse në Shqipëri nuk kishte mbetur asnjë peshkop kanonik i gjallë, si duhej krijuar sinodi i shenjtë kishtar? Në këto rrethana kaq të zymta për zgjidhjen e problemit të Kishës Ortodokse, sugjerimi më i drejtë erdhi nga shqiptarët e Amerikës. Në një mocion të miratuar nga Këshilli i peshkopatës kishtare të Bostonit u hodh ideja që rruga më e përshtatshme ishte të ngarkohej nga Patriarkati i Kostandinopojës një ekzark me një botëkuptim të gjerë kishtar e demokratik – një ekzark nga një vend që të mos kishte interesa politike ndaj Shqipërisë, pra as grek, as serb. Shkurt, një ekzark me detyrë të përkohshme, i cili pasi ta rimëkëmbte kishën e shkallmuar nga regjimi komunist, pasi të mëkëmbte sinodin e shenjtë dhe në momentin që sinodi të zgjidhte kryepeshkopin e KOASh-it, ai të largohej nga Shqipëria. Idenë e ekzarkut e kishte përqafuar edhe Patriarkati Ekumenik i Kishës Lindore si rruga më e përshtatshme për të rimëkëmbur strukturat e KOASh-it. Por kushtin që vinte kisha e Amerikës për një ekzark jo grek, Patriarkati i Kostandinopojës nuk e mori në konsideratë. Prapaskenat që u luajtën në ato momente shumë të zymta nuk i dimë. Një gjë u bë shumë shpejt e qartë. Qeveria e Athinës, e cila vepronte si zembrek në gjirin e Kishës Ortodokse greke, ndërhyri me të shpejtë: e bindi Patriarkun Bartolome që të ngarkonte me detyrën e ekzarkut Prof. Dr. Anastas Janullatosin, në atë kohë peshkop i Andrusës. Me emërimin e tij si ekzark fillon “aventura” shqiptare e Janullatosit. Kush ishte Anastas Janullatosi? Kur më 3 qershor 1991 u ngarkua me detyrën e ekzarkut nga Patriarkati Ekumenik i Kostandinopojës, A. Janullatosi, me titullin peshkop i Andrusës, në atë kohë ndodhej në Afrikën Lindore, i ngarkuar me detyrën e “Kryepeshkopit aktiv” për mëkëmbjen e Kishës Ortodokse të Kenias, Ugandës dhe Tanzanisë, me qendër në Nairobi. Caktimin e tij si ekzark në Shqipëri e miratoi edhe presidenti Ramiz Alia. Lajmi i ardhjes së tij në Shqipëri u prit me interes nga qarqet ortodokse shqiptare, mbasi shpresohej se ai edhe pse qe grek, meqenëse vepronte jo në Greqi, por në Afrikë, do të ndihmonte rimëkëmbjen e KOASh-it. Dërgimi i një ekzarku ishte i drejtë, mbasi ai sapo të rimëkëmbte kishën e shkërmoqur ortodokse shqiptare dhe fill pasi të zgjidhej një kryepeshkop i rregullt kanonik duhej të largohej nga Shqipëria. Qarqet ortodokse shqiptare menduan se ekzarku Anastas Janullatos me kulturën kishtare që kishte përvetësuar do ta kryesonte ashtu siç e kërkonin interesat e KOASh-it detyrën e vet. Janullatosi e vendosi me të shpejtë shtabin e vet në Korfuz. Me prapaskenat që u zhvilluan si me telekomandë prej tij, ekzarku thirri në Tiranë një “konfererencë” kombëtare me pjesëmarrjen e pesëmbëdhjetë klerikëve dhe tridhjetë laikëve të zgjedhur prej tij. Janullatosi emëroi një këshill të përgjithshëm të përbërë prej nëntë vetësh, të cilët morën përsipër jashtë rregullave kanonike detyrën e Sinodit të Shenjtë të KOASh-it. Me detyrën e sekretarit të përgjithshëm të këshillit u caktua nga Janullatosi Aleko Dhima, një grekoman i vendosur për t’i shërbyer Kishës Ortodokse Greke. Ndërkohë, në shtypin grek filloi të flitej për A. Janullatosin jo si ekzark, por si kryepeshkop, madje jo si kryepeshkop i KOASh-it, por si kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Greke të Shqipërisë. Për më tepër, këtë aspiratë dinake e zbuloi edhe vetë A. Janullatosi. Në përpjekjet e veta ai pati si ndihmës të fuqishëm dhespotin e Konicës, Sebastianos, i cili kishte zhvilluar një aktivitet të ashpër si një nga krerët e komitetit “vorio-epirot” me qendër në Janinë. Në një letër drejtuar kryeministrit grek Karamanlis, metropoliti Sebastianos shkruante se “edhe gurët thonë se Vorio-Epiri është Greqi dhe se mjedisi gjeografik i shqiptarëve ka qenë gjithmonë mbi dhe përtej lumit Shkumbin”. Në atë kohë emri i Sebastianos lakohej pothuajse çdo ditë në Shqipëri për urrejtjen e tij antishqiptare. Cilësohej si një djall i veshur me petkat e dhespotit. Me ndihmën e Sebastianosit, militantët e tij të parë Janullatosi i rekrutoi në Himarë. Së bashku me të, ai në emër të kryepeshkopatës së Kishës Greke, nënshkroi me Aleko Dhimën, i vetëquajtur sekretar i përgjithshëm i KOASh, një marrëveshje orgurzezë. Ja teksti: “Të dashur bashkatdhetarë! Në qendrën e vëmendjes sonë ju keni qenë e do të jeni vazhdimisht. Mendojmë për ju, për të ardhmen e fëmijëve tuaj. Pikërisht për këtë kemi krijuar edhe një organziatë të veçantë, të cilës i kemi vënë emrin “Himara e lirë vorioepirote dhe minoritare greke”. Deri në mbarim të muajit shtator 1992, kemi programuar këto aktivitete: 1. Vizita të përbashkëta në Korfuz, Janinë, Artë, Pargë, Paramithi, Filat, Himarë, Dhërmi, Palasë, Qeparo, Kudhës, Vuno, Sarandë, Konispol, Dropull. 2. Organizimi i një mbledhjeje të madhe në sheshin “Spiles” të Himarës ose në Potam, ku do të marrin pjesë edhe Sebastianos, Janullatos dhe Aleko Dhima, sekretar i përgjithshëm i Kishës Ortodokse Shqiptare. Aty do të dorëzohen edhe katër priftërinj. Do të bëhet një meshë e madhe në Katedralen e Himarës dhe një në atë të Dhërmiut (Spiridhonis e Harallambis). Do të meshojnë dhespotët Sebastianos e Janullatos. Aty do të flasë edhe prifti dhërminjas Klearkos Savas, i dorëzuar në Athinë. 3. Do të nënshkruhet një marrëveshje midis Kishës Ortodokse Shqiptare dhe asaj greke për t’i pajisur kishat e Vorio-Epirit në përgjithësi dhe ato të krahinës së Himarës në veçanti me të gjitha sendet e nevojshme. Për palën greke do të firmoset nga hirësitë Sebastianos e Janullatos dhe për palën shqiptare Aleko Dhima, sekretar i përgjithshëm. 4. Meshat në Himarë, Dhërmi, Palasë, Vuno, Qeparo, Kudhës do të mbahen në greqisht, sipas marrëveshjes Sebastianos-Janullatos-Dhima. Do të përcaktohëen administrata e Krahinës Autonome Vorio-Epirote Minoritare të Himarës, ku do të marrin pjesë njerëzit më të devotshëm nga familjet më të shquara si Bollanot, Milot, Neranxët, Joshët, Ilot, Belerajt, Rondajt, Zotajt, Dhimojanajt, Dunajt, Agnanostajt, Protajt, Janilajt, Pjerot, Dafllajt, Bifshajt, Gorecajt, Janijat, Zhupajt, Fotiadhët, Gorajt (gjithsej 21 familje – K.F.). Do të bëhen mesha përshpirtjesh për eposin grek 1940-1941 në Livadhet e Shengjergjit dhe në Skutara, pastaj në Jonomarinë e Shentheodhor, në Stavridh, në Shenjat, ku ndodhen eshtrat e ushtarëve e oficerëve grekë: Agathoklis, Konstantinis, Mihalis, Jorgor, Periklis, Athanasis, Anastasis, Elefteris, Stelianos, Dhimitris, Grigoria, Kamas etj, për të cilët do të ngrihet edhe një përmendore. 5. Do të zhvillohen veprimtari kulturore-artistike si theatro, estrada, cirk, recitime, simpoziume me temën: Traditat nuk harrohen, por forcohen, ku do të flasin historianë, poetë, muzikantë, artistë etj. Po ashtu, do të shpërndahen libra të botuara në gjuhën greke në të cilat flitet për Vorio-Epirin, Minoritetin, për traditat dhe epopetë. Do të flitet për ndihmën e madhe që i jep Kisha greke asaj shqiptare dhe për përpjekjet që bën ajo greke për të mos u shkëputur prej saj ajo shqiptare, e cila kurdohertë ka qenë dhe do të jetë e lidhur me atë greke kundër myslimanëve e katolicizmit. 6. Do të shpërndahen libra shkollore greke për shkollën greke që do të fillojë në krahinën e Himarës dhe do të caktohet grupi i parë i mësuesve grekë vullnetarë që do të vijnë atje. Me këtë punë do të merren familjet Goro e Bollano, prej gjirit të të cilave do të caktohen pjesëtarë me detyra me rëndësi në qeverisjen e Himarës. Gorot e Bollanot kanë dhënë prova të mëdha për besnikërinë ndaj atdheut të tyre – Greqisë. 7. Në Himarë do të instalohet një radiostacion vorio-epirot minoritar që në bashkëpunim me “Omonian” do të japë programe të pasura (duke kaluar shumë shpejt dhe në televizive) të kulturës, muzikës e filozofisë greke për të rrënjosur thellë patriotizmin. 8. Do të përpilohet një komunikatë e parbashkët me anën e të cilës do të përcaktohet afati tranzit i krahinës autonome të Himarës deri në bashkimin me atdheun, Greqinë-mëmë. 9. Do të vendoset një linjë e rregullt detare Korfuz-Himarë, si dhe një tjetër me autobusë Janinë-Himarë. Autobusët do të jenë grekë dhe udhëtimi i himarjotëve vatje-ardhje do të jetë gratis. Sekretarja Eftalias Papadhimitris, kryetari Rafailidhius Andrikas, Sekretari i Përgjithshëm Antonios Sollaros”. Sikurse shihet, në pragun e fronëzimit të tij si kryepeshkop i KOASh-it, A. Janullatosi ka vënë nënshkrimin në një dokument ku pa asnjë mbështetje juridike dhe politike, deklarohet haptazi se Himara është krahinë minoritare greke; se jo vetëm fshatrat Himarë, Dhërmi, Palasë, të cilat dihen se kishin banorë greqishtfolës, por edhe fshatra të tjera të krahinës, si Vunoi, Kudhësi, Qeparoi, madje dhe Saranda e Konispoli, ku banorët e të cilave nuk e njihnin greqishten, konsideroheshin si vendbanime greqishtfolëse; se qenia e këtyre vendbanimeve në shtetin shqiptar ishte tranzitore (e përkohshme) dhe se së shpejti do të caktohej afati se kur ato do të bashkoheshin me atdheun mëmë, Greqinë. Shënojmë me këtë rast se Janullatosi përveç shkeljeve arrogante që bënte mbi të drejtat kombëtare, urdhëroi që shërbesat në kishat e fshatrave të Himarës të zhvilloheshin jo shqip, siç thuhej në Aktet Juridike të Lidhjes së Kombeve, por në greqisht, madje edhe në ato fshatra ku nuk e njihnin fare greqishten. Meqenëse në bazë të akteve ndërkombëtare, krahina e Himarës nuk mund të cilësohej si krahinë minoritare etnike greke, mbasi nuk kishte vazhdimësi territoriale me Greqinë – për të kapërcyer këtë minus, Janullatosi dhe Sebastianosi përfshinë si vendbanime minoritare përveç Sarandës edhe Konispolin me banorë krejtësisht myslimanë. Komenti për përmbajtjen e marrëveshjes është i panevojshëm pasi qëllimi i aneksimit të “Vorio-Epirit”, përfshirë dhe Himarën, del qartë. Pasi pranoi propozimin grek, kryepeshkopi Bartolomeu i parashtroi Presidentit të Shqipërisë, Ramiz Alia, kërkesën për ta pranuar Anastas Janullatosin si ekzark dhe në të njëjtën kohë kërkesën për të pranuar në krye të katër dioqezave shqiptare (Durrësit, Korçës, Beratit, Gjirokastrës) katër peshkopë grekë, njëri nga të cilët do të ishte vetë Janullatosi. Katër peshkopët i duheshin KOASh-it sepse me ta formohej sinodi kishtar. Si rrjedhim, me formimin e sinodit Greqia e merrte kështu ipso facto drejtimin e kishës shqiptare. Ramiz Alia pranoi vetëm emërimin e Janullatosit si ekzark, kurse propozimin e katër prelatëve si peshkopë të katër dioqezave shqiptare e refuzoi. A. Janullatosi pas emërimit të tij si ekzark përgatiti terrenin për t’u emëruar si kryepeshkop i KOASh-it. Përgatitjet e tij vazhduan për një vit. Në përpjekjet e tij ai pati ndihmën e Bartolomeut, patriarkut ekumenik të Kostandinopojës, prapa të cilit nënkuptohet se vepronte qeveria greke, e gatshme për të përballuar fondet e nevojshme financiare. Kur në pranverën e vitit 1992 President i Republikës u shpall Prof. Dr. Sali Berisha, ekzarku A. Janullatos filloi përpjekjet për të siguruar miratimin e palës shqiptare për t’u emëruar kryepeshkop i KOASh-it. Meqenëse në Shqipëri ende nuk ekzistonin mundësitë e krijimit të një sinodi, problemin e mori në dorë vetë patriarku. Në mënyrë krejt arbitrare, pra të parregullt, Sinodi Ekumenik i Patriarkanës së Stambollit emëroi A. Janullatosin jo më ekzark, por kryepeshkop i KOASh-it. Me këtë rast ai nisi në Shqipëri një delegacion patriarkal në të cilin bënin pjesë ndër të tjerët, metropolitët Perjis Evangjellos dhe Meliton i Filadelfias. Por, kërkesa e tyre për të krijuar Sinodin shqiptar kishtar me peshkopë grekë nuk gjeti gatishmërinë e Presidentit Sali Berisha. Megjithatë, presidenti dha pëlqimin vetëm për zgjedhjen e Janullatosit si kryepeshkop, ndonëse shfaqi rezervë se ai nuk kishte të drejtë t’i impononte krerët e saj. Presidenti ka për detyrë vetëm të japë pëlqimin për zgjedhjen e peshkopit nga sinodi. Por, A. Janullatosi këtë mbështetje të presidentit e trumbetoi si një vendim të shtetit shqiptar për emërimin e tij si kryepeshkop i Shqipërisë. Por, me emërimin e Janullatosit si kryepeshkop i Shqipërisë, edhe Patriarkati shkelte tri dispozitat e shenjta që ai vetë kishte caktuar: a) Shkeli vendimin e tij me të cilin kishte ngarkuar Janullatosin si ekzark për rimëkëmbjen e KOASh-it dhe të sinodit të saj, pa marrë pëlqimin e qeverisë shqiptare. b) Në kundërshtim me kanonet e saj shekullore Patriarkati Ekumenik i Kostandinopojës duke emëruar A. Janullatosin si kryepeshkop mori vetë përsipër në mënyrë abuzive detyrën e sinodit të shenjtë të KOASh-it. c) Në kundërshtim me “Tomin” e vitit 1937 dekretoi emërimin për kryepeshkop të Shqipërisë, A. Janullatosin, një prelat që nuk ishte shqiptar as për nga kombësia, as për nga shtetësia. Me këtë rast duhet vënë në dukje se delegacioni i Kostandinopojës e argumentoi emërimin e metropolitit grek si kryepeshkop i Shqipërisë jo në statutin themeltar të kishës të miratuar nga Patriarkana me “Tomin” e saj më 1937, por me kushtetutën e miratuar gjatë regjimit komunist më 1950, i cili parashtronte si kusht vetëm shtetësinë shqiptare, në një kohë kur A. Janullatosi nuk kishte as nënshtetësinë shqiptare.
Kisha ortodokse shqiptare e Amerikës me seli në Boston nën kryesinë e At A. Liolinit, kur mori vesh përgatitjet për shpalljen e Janullatosit si kryepeshkop i KOASh-it, lëshoi më 30 korrik 1992 këtë deklaratë: “Ne protestojmë vendimin e Patriarkut ekumenik në Stamboll që një prift me kombësi greke të bëhet kryepeshkop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Në bazë të statuteve të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, në të kaluarën të gjithë klerikët permanent prej kryepeshkopit dhe deri te famullitarët, kanë qenë shqiptarë. Klerikët e huaj që janë tani në Shqipëri janë pritur me mirënjohje për ndihmën që po japin duke rindërtuar Kishën Ortodokse në përputhje me historinë tonë të veçantë, me traditat dhe identitetin tonë, të cilat diktojnë që kryetari i Kishës Ortodokse Shqiptare të jetë me kombësi shqiptare. Letra kredenciale e peshkopit Anastas Janullatos më 3 qershor 1991, premton se puna e tij në Shqipëri si një i dërguar i veçantë ekleziastik do të ishte e kufizuar në kohë dhe në detyra deri sa të rimëkëmbej Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Ne mendojmë se për të qenë Kisha Ortodokse Shqiptare vetëqeverisëse dhe e pavarur (autoqefale) është e domosdoshme që klerikët dhe sidomos kryepeshkopi të jenë me kombësi dhe nënshtetësi shqiptarë” (Botuar në Gazeta “RD”, Tiranë 25 gusht 1992). Ceremonia e fronëzimit Në gjithë këto parregullsi që shkelnin haptas sovranitetin e KOASh-it, Hirësia e tij vendosi të shpinte deri në fund detyrën me të cilën ishte ngarkuar nga kisha greke – të kryente celebrimin kanunor kishtar si kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Ky akt i guximshëm ndodhi më 2 gusht 1992. Atë ditë u zhvillua në kishën katedrale të Tiranës ceremonia solemne për fronëzimin e Janullatosit si kryepeshkop i KOASh-it. Brenda në katedrale ndodheshin mitropolitët e ardhur nga Patriarkati i Kostandinopojës, disa mitropolitë grekë të ftuar nga Jnaullatosi, disa priftërinj shqiptarë, disa dhjetëra priftërinj minoritarë dhe disa qindra besnikë të krishterë ortodoksë. Sipas kanoneve kishtare, një prift apo një peshkop apo një kryepeshkop i kishës ortodokse quhet i fronëzuar kur në solemnitetin e Asamblesë Kishtare të gjithë besnikët që ndodhen në atë çast në kishë i përgjigjen pyetjes nëse kandidati i propozuar miratohet e termin tradicional bizantin “aksios” (pëlqehet). Nëse një pjesë e besnikëve të pranishëm në kishë përgjigjet “anaksios” (jo i pëlqyer, pra i pamerituar, i padenjë), ai quhet i pamiratuar. Më 2 gusht në katedralen e Hyjlindëses së Tiranës kur besnikët u pyetën nëse e miratonin ose jo A. Janullatosin si kryepeshkop i Shqipërisë, krahas shumicës që thirri “aksios”, një pjesë e tyre u përgjigj me thirrjen “anaksios” (pra, i papëlqyer). Veç kësaj, në atë solemnitet kishtar shfaqja më tronditëse ishte buçitja në katedrale e këngës rilindëse “Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë”, në kuptimin se kryepeshkopi grek shkelte parimin thememlor të Rilindjes Kombëtare dhe se ai duhej të largohej nga kisha shqiptare. Megjithatë, Janullatosi nuk u dorëzua. Për ta realizuar me çdo kusht detyrën e ngarkuar ai u largua menjëherë nga katedralja dhe së bashku me pasuesit e vet shkoi në hotel “Tirana International”, ku celebroi fronëzimin e tij si kryepeshkop i Shqipërisë.
|
|