Post by Alb_Korcar on Jan 16, 2009 12:59:45 GMT -5
korcajone.net/artikujt-/dit-t-e-mios-sjellin-n-kor-piktor-nga-vende-t-ndryshme-t-bot-s-2.html
40 piktorë të Kolonisë Ndërkombëtare të Piktorëve, fiksuan në telajot e tyre bukuritë natyrore të Korçës. Ky vit, shënoi edicionin e dytë të kolonisë “Ditët e Mios”.
Në mbrëmjen e datës 28 tetor, në Galerinë “Guri Madhi”, u çel ekspozita me punimet e këtyre piktorëve, të cilat u vlerësuan maksimalisht nga artdashësit e shumtë që vizituan këtë ekspozitë.Në të morën pjesë jo vetëm piktorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Greqia , por edhe piktorë nga vende të tjeratë Europës. Për mjaft artistë dhe kritikë arti, kjo ekspozitë shënoi një hop mjaft cilësor krahasuar me një vit më parë, duke krijuar kështu një traditë shumë të mirë për edicionet e tjera të
Kolonisë së Piktorëve.
Për piktorët, Korça mbetet një studio e madhe, me hapësira për t’u eksploruar, befasuese për pasurinë që mbart, e cila është mjaft frymëzuese për të ushtruar talentin e tyre.
Të frymëzuar nga ky terren, piktorët hodhën në telajot e tyre ndërtesat karakteristike të Korçës, rrugicat e kalldrëmta, peisazhin e Moravës dhe të fushës së Korçës, por edhe të rrethinave, Vithkuqit, Boboshticës, Voskopojës e Drenovës, peizazhin e liqenit të Pogradecit. Duke marrë shkas nga suksesi i Kolonisë së Piktorëve që mban emrin e Mios, Drejtori i Qendrës Kulturore “V.Mio”, Vladimir Topi, prezantoi organizimin në muajin dhjetor të këtij viti, të Konkursit Mbarëkombëtar i cili do të mbajë gjithashtu emrin e piktorit korçar Vangjush Mio.
Për Kryetarin e Bashkisë, Kolonia e Piktorëve e cila është një traditë e përvitshme e qytetit, jo vetëm mban gjallë artin dhe veçanërisht pikturën e peizazhit, por ajo është një mënyrë për të promovuar nëpër botë, bukuritë natyrore të qytetit të Korçës.
Ajo është njëkohësisht një mundësi, për të ballafaquar e stimuluar përvojat mes artistëve të vendeve të ndryshme.