Post by bato2 on Sept 27, 2010 7:46:30 GMT -5
Sulmi bërthamor, plani amerikan për të shuar Shqipërinë
Analisti i Luftës së Ftohtë, Fred Kaplan, publikon hartën amerikane të ndëshkimit të komunizmit në vitet 1960-1961. Plani i ish-presidentit amerikan Eisenhoëer për t'iu kundërpërgjigjur me bomba bërthamore Lindjes komuniste nga Europa, BRSS dhe Kinë. Biseda e sekretarit të mbrojtjes McNamara për bombën bërthamore që do të hidhej në Shqipëri kundër një radari të madh të mbrojtjes ajrore të instaluar nga sovjetikët dhe paralajmërimi i gjeneralit të Komandës së Aviacionit Strategjik se bomba do ta shfaroste Shqipërinë. Dhe dyzimi i Enver Hoxhës për të mbajtur ose jo nëndetëset sovjetike në bazën e Pashalimanit
Shqipëria do të shuhej. Bashkë me të shumë shtete të tjera të ish-bllokut komunist. Me një skenar të thjeshtë të njohur që pas hedhjes së dy bombave atomike në vitin 1945 në Hiroshima dhe Nagasaki, që nënshtruan përfundimisht "Perandorinë e Diellit" dhe i dhanë fund zyrtarisht Luftës së Dytë Botërore. Autorët? Kush tjetër përveçse "pionerët" e bombave të para bërthamore, amerikanët, që nëse do të ishin zbatuar planet e fillimvitit 1960, do të kishin nisur kështu Luftën e Tretë Botërore. Por kësaj radhe, Hiroshima dhe Nagasaki do të dukeshin si lodra, sepse rrezja e bombave shumë herë më të fuqishme të hedhura nga Kina, BRSS dhe në vendet europiane të bllokut komunist, përfshirë edhe Shqipërinë, do të shënonte, të paktën sipas llogarive në letra, qindra milionë njerëz dhe siç thuhet me cinizëm, këtu nuk ishin llogaritur ata që do të përjetonin rrezatimin e bombave bërthamore.
Skenari, që nuk u zbatua kurrë vjen nga kolumnisti për sigurinë kombëtare në SHBA, Fred Kaplan, njëri prej historianëve më të njohur të Luftës së Ftohtë. Revista e fundit "Time" i ka kushtuar një vend të gjerë analizës së z.Kaplan, ku nuk kishte se si të mungonte Shqipëria, e cila në fillimin e vitit 1961, sapo ishte ndarë ideologjikisht me BRSS-në dhe po kërkonte aleancën e mbijetesës me Kinën e largët komuniste, por që paraqiste rrezik për vendet perëndimore për shkak të ekzistencës së një radari të fuqishëm të instaluar nga sovjetikët pranë brigjeve shqiptare dhe planeve për të ndërtuar një bazë të fuqishme të nëndetëseve bërthamore po në Vlorë.
"No more nukes?"(Jo më armë bërthamore?),i autorit Kaplan është një rezyme e planeve bërthamore të botës ku jetojmë, plane që ende nuk kanë mbaruar, megjithëse superfuqitë i kanë ulur në minimum armët e shkatërrimit në masë.
***
Sipas analizës së Kaplan, plani ishte hartuar gjatë muajve të fundit te presicentit Dwight Eisenhower, i udhëhequr nga Komanda e Aviacionit Strategjik (SAC), që hartoi planin e parë formal të luftës bërthamore, të quajtur SIOP-in (Single Integrated Operational Plan - Plani Unik i Integruar Operativ). Deri atëherë seicila armë e ushtrisë amerikane, kishte ndërtuar arsenalin e vet bërthamor dhe kishte planin e vet të luftës, ndërsa idea pas SIOP ishte që të bashkohej gjithë arsenali për të krijuar një strategji kombëtare lufte. SAC e shfrytëzoi rastin për të ndërtuar më shumë armë bërthamore, veçanërisht armë ajrore. Strategjia amerikane ishte kjo: Nëse sovjetikët do të sulmonin SHBA-të ose Europën Perëndimore, qoftë edhe pa armë bërthamore, SHBA-të do të hidhnin të gjithë arsenalin e tyre bërthamor kundër çdo vendi në Bashkimin Sovjetik, Europën Lindore dhe në Kinën komuniste. SIOP kishte përcaktuar edhe armët që do të hidheshin dhe në cilat pika. Llogaritë kishin nxjerrë një masakër të pashoqe. Në këtë pikë Eisenhower dërgoi këshilltarin e tij shkencor, George Kistiakowsky, në qendrën e SAC në Omaha për tu njohur me planin e ri. Një prej ndihmësve të tij, një shkencëtar armësh i quajtur George Rathjens, kërkon në atlasin e SAC për një qytet rus që i shëmbëllente Hiroshimës. Kur e gjeti ai pyeti një officer të SAC se sa armë mund të hidhte SIOP në atë qytet. Ai u përgjigj: një bombë 4.5 megatonëshe dhe tri bomba 1.1 megatonëshe nëse e para nuk mjaftonte- pra 7.8 megatonë bomba bërthamore, ose 600 herë më shumë forcë shpërthyese se sa bomba 12.5 kilotonëshe që shkatërroi Hiroshimën. Kështu ishte në të gjithë atlasin. Në rast lufte me BRSS-në, SHBA-të do të përdornin të gjithë arsenalin e tyre të gatshëm bërthamor 1459 bomba bërthamore, në total 2164 megatonë, kundër 654 pikave në BRSS, Europën Lindore dhe Kinë, duke vrarë 175 milionë njerëz, që mendohej se jetonin nën regjimet komuniste. Nëse do të përdornin të gjithë arsenalin bërthamor me 3423 armë bërthamore, në total 7847 megatonë, do të vriteshin 285 milionë njerëz dhe 40 milionë do të plagoseshin dhe askush nuk kishte llogaritur se sa do të vdisnin nga rrezatimi në Lindje dhe Perëndim, ndërsa "dimri nuklear"ishte një term ende i panjohur. Këto dokumente ishin të klasifikuara si Top Sekret dhe publiku nuk dinte asgjë nga këto, vetëm disa zyrtarë të zgjedhur dinin diçka. Historiani Kaplan thotë se pati mundësi t'i shtinte në dorë këto materiale vetëm në 1982, pas një kërkese bazuar në Aktin për Lirinë e Informimit.
Kur në janar 1961 John J. Kennedy u zgjodh presidenti SHBA-ve, sekretari i tij i Mbrojtjes kërkoi informacion nga SIOP. Gjatë seancës së njohjes me planin, u dha një moment kur një bombë shumë megatonëshe do të hidhej në Shqipëri, e cila po shkëputej nga blloku sovjetik, sepse një radar i madh i mbrotjes ajrore ishte vendosur atje. Ndërsa Robert McNamara dhe ekipi i tij po linin dhomën e mbledhjes, komandanti i Komandanti i aviacionit strategjik amerikan (SAC), gjenerali Thomas Power, tha duke qeshur: "Z. Sekretar, uroj që ju të mos keni miq apo të afërm në Shqipëri sepse thjesht do të na duhet ta fshijmë nga faqja e dheut", ndërsa Fred Kaplan thotë se gjenerali McNamara e pa i ngrysur. Ai e alarmoi SIOP-in në disa rrugë, që në rast lufte të sulmohej BRSS-ja, por jo Kina, të goditeshin objektet ushtrake, por jo qytetet dhe të goditeshin disa lloje objektesh ushtarake, por jo të tjerat.
Komiteti Politik Konsultativ i Traktatit të Varshavës hidhte poshtë lajmet për sulme kundër Shqipërisë
Dilema e Enver Hoxhës për nëndetëset sovjetike në Pashaliman
Pak para se të fillonte mbledhja e përfaqësuesve të vendeve pjesëtare të Traktatit të Varshavës, në Moskë më 28-29 mars të vitit 1961, delegacionit shqiptar iu dorëzua një kërkesë që Qeveria e Shqipërisë te hiqte dorë nga baza ushtarako-detare e Vlorës dhe i gjithë territory i saj te vihej nen drejtimin e qeverisë sovjetike, forcat e armatosura të marinës shqiptare të tërhiqeshin nga ky territor, kurse të gjitha anijet luftarako-detare, ndihmëse etj., t'u jepeshin ne dorëzim ekipazheve sovjetike. Në një radiogram që Enver Hoxhai i nis delegacionit shqiptar, ai i këshillon që letrën ta hedhin në kosh, duke mos e përfillur kërkesën e sovjetikëve. Hoxha i këshillon vartësit që të mos flasin të parët, ndërsa për bazën e Vlorës, të thoshnin se qeveria Shqiptare nuk pranon as ndryshimin me te vogël nga statukuoia aktuale e përcaktuar nga marrëveshjet zyrtare në mes qeverive të Moskës dhe Tiranës. Ai i këshillon që të hedhin poshtë shpifjet dhe arsyetimet e sovjetikëve: "Përmendni dhe shpërndani promemorien e Mehmetit e të Andrejevit në lidhje me ngjarjet në bazë. Argumentoni çështjen nga ana politiko-ushtarake, tregoni përgatitjen shembullore të marinarëve tanë. Lidhni kërcënimet dhe shantazhet e mëparshme të Hrushovit për këtë çështje dhe thoni se Qeveria Shqiptare nuk pranon tezat e mareshalit Greçko, pse janë pa vend. Theksoni se çdo vendim që do të marrin në drejtim të heqjes së bazës dhe të mosfurnizimit të saj me armatime sipas marrëveshjeve dhe kontratave, dobëson mbrojtjen e kampit socialist e të Shqipërisë dhe i bën krejtësisht përgjegjës. Si konkluzion, iu thoni se në emër të Partisë dhe të Qeverisë, ne nuk pranojmë dhe do të votojmë kundër çdo vendimi që mund të merret kundër statukuosë në bazë dhe mosrespektimit të marrëveshjeve midis BS dhe RPSH"-shkruante Enver Hoxha në radiogramin për delegacionin shqiptar që merrte pjesë në takimin e vendeve pjesëtare të Traktatit të Varshavës, në Moskë.
***
Komiteti Politik Konsultativ i Traktatit të Varshavës,i hidhte poshtë akuzat e bëra nga Shqipëria se ishte përgatitur një sulm kundër saj. Në një vendim që iu bë i ditur udhëheqjes shqiptare pas mbledhjes, në 27-28 mars 1961, vërehej se nga ana e Shqipërisë ishin ndërmarrë disa hapa që nuk u përgjigjeshin parimeve dhe dispozitave të traktatit të Varshavës, siç ishte situata jonormale, e palejueshme mes shteteve-anëtare të traktatit të Varshavës dhe që ulte seriozisht gatishmërinë luftarake të kësaj baze. Traktati i Varshavës hidhte poshtë edhe deklaratën e Enver Hoxhës për mundësinë e një sulmi mbi Shqipërinë nga ana e Jugosllavisë, Greqisë dhe flotës VI të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Pavarësisht se një ngjarje e tillë ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe politike dhe ushtarake për të gjitha vendet e traktatit të Varshavës, asnjë nga këto vende dhe madje Kryekomandantii Forcave të Armatosura të Bashkuara nuk u vunë në dijeni nga Shqipëria për këtë gjë dhe deri tani nuk është dhënë informacion për këtë çështje. Të tilla veprime të Republikës Popullore të Shqipërisë nuk u përgjigjen dispozitave të neneve 3 dhe 5 të traktatit të Varshavës. Komiteti Politik Konsultativ pret që Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë t'i paraqesë menjëherë Kryekomandantit të Forcave të Armatosura të Bashkuara të traktatit të Varshavës të dhënat dhe arsyet, mbi të cilat është mbështetur Deklarata e përfaqësuesve të partisë dhe qeverisë së RPSH mbi çështjen e sulmit kundër Shqipërisë"-shprehej Komiteti Politik Konsultativ i Traktatit të Varshavës.
***
Por tre ditë më pas , duke folur në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH, në 1 prill 1961, për të diskutuar rreth raportit të paraqitur nga delegacioni i Partisë dhe i Qeverisë shqiptare që mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës, Hoxha duket se është i lëkundur mes vendimit për ta lënë apo mbajtur bazën e Pashalimanit në Vlorë. Ai shprehet: "Baza e Vlorës është një kërcënim shumë serioz për ne, domethënë për pushtimin e Shqipërisë, për zhdukjen e pavarësisë së vendit tonë. Janë të drejta sa thanë shokët se ka shumë mundësi që udhëheqja sovjetike ta heqë bazën e Vlorës dhe anijet të mos na i dorëzojë neve, sepse e tillë është vija e Hrushovit. Ajo çon ujë në mullirin e imperializmit amerikan. Por duke u larguar nga baza, ata do të humbasin dhe ne do të fitojmë. Hrushovi ka edhe plane të tjera të poshtra kundër vendit tone. Njerëz të tillë si Ulbrihti duan të na trembin, kur thonë se «baza ushtarake e Vlorës ka një rëndësi shumë të madhe për Shqipërinë», por për ne, ne kushtet e sotme, kjo bazë s'ka asnjë rëndësi. Përkundrazi, atë mund ta përdorë Nikita Hrushovi si gozhdën e Nastradinit dhe te hedhë divizione të tëra, duke krijuar rreziqe të mëdha për vendin tonë. Prandaj, ashtu siç thanë të gjithë shokët e Byrosë Politike, edhe unë jam dakord që bazën ta likuidojmë duke kërkuar që t'i mbajmë ne të gjitha luftanijet. Sikur të na mbeten anijet ashtu si duam ne, është mirë, në të kundërtën nuk na hyjnë në punë nëndetëset. Ne edhe pa to do të luftojmë. Sikur t'i kemi edhe anijet, ne rast sulmi të armiqve, do të bëjmë kërdinë, po lufta kryesore nuk do te zhvillohet ne det. Unë kështu mendoj për çështjen e bazës. Por të mos harrojmë se revizionistët sovjetikë mund të qëndrojnë ne bazën e Vlorës, me qëllim që te kurdisin ndonjë akt tjetër provokues dhe që të kenë atje njerëzit e tyre. Prandaj të manovrojmë. Çfarëdo situate që mund të krijohet, domethënë qëndrojnë ose ikin sovjetikët nga baza, ne, nga ana jonë, absolutisht duhet të evitojmë incidentet dhe provokacionet që mund të bëjnë ata"-shprehej Hoxha
Artikulli i botuar ne gazetën "Zërii Popullit" në 8 prill 1961 për vizitën e një anijeje amerikane në portin e Splitit
Hoxha: "Amerikanët do na sulmojnë se jemi i vetmi vend socialist në Mesdhe"
Gazeta «Politika» e Beogradit njoftonte pardje se më 5 prill arriti në portin e Splitit kryqëzori "Springfild",i pajisur me raketa të telekomanduara dhe që kishte ngritur flamurin e komandantit të Flotës VI Amerikane, nënadmiralit, Xhorxh Anderson. Vizita të kësaj natyre te njësive luftarake dhe të admiralëve të Flotës VI Amerikane në ujërat dhe në skelat jugosllave, nuk ndodhin për herë të parë dhe as janë të rastit. Marina amerikane e luftës lëvrin me një «kryelartësi» agresive në ujërat e Mesdheut dhe të Adriatikut, sikur këto te ishin ujërat territoriale të SHBA-së. Veçanërisht portet jugosllave dhe greke janë bërë çerdhe intrigash të rrezikshme, sepse vendet fjalë janë lidhur midis tyre me një ingranazh paktesh, fijet e të cilave shpien drejtpërsëdrejti në Uashington. Është e qartë se komandanti i Flotës VI Amerikane nuk shkon në Jugosllavi për turizëm, mbi një kryqëzor të pajisur me raketa të telekomanduara dhe që ka brenda 1000 oficerë dhe marinarë. Ai shkon te miqtë e tij, te njerëzit që kanë gjuhë të njëjtë me të, për të kurdisur komplote të reja kundër vendit tonë, ashtu siç bënë me komplotin që u dështoi.
Dihet nga të gjithë se Flota VI Amerikane është një forcë agresive goditëse kryesore e imperializmit amerikan dhe e NATO-s në Mesdhe. Ajo është në patrullim të vazhdueshëm, demonstron dhe kërcënon duke u përpjekur t'u tregojë popujve të brigjeve të detit Mesdhe se çdo përpjekje e tyre për liri dhe për një jetë më të mirë do të ketë si përgjigje zjarrin e armëve të saj dhe bajonetat e këmbësorisë detare të kryqëzorëve. Flota VI Amerikane ështe gjithmonë gati për t'u lëshuar me tërbim kundër pavarësisë së popujve. Ngjarjet ne Lindjen e Afërme dhe zbarkimi i këmbësorise detare në Liban e treguan qartë këtë. Flota VI Amerikane përfaqeson një rrezik serioz per vendet mesdhetare, për vendet socialiste në këtë zonë dhe veçanërisht për vendin tonë, i cili është pika më e avancuar dhe i vetmi vend socialist që ndodhet në detin Mesdhe.