Post by bato2 on Sept 28, 2010 2:56:08 GMT -5
Amandamenti i fundit, BE:S'ka viza pa dalë nga Konferenca Islamike
Në momentin kur duket se Shqipëria ka plotësuar kriteret për të përfituar heqjen e vizave me vendet e BE-së, në skenë shfaqet një kriter i ri, por shumë domethënës. Gjatë kohës kur kryeministri Berisha ishte president, ka anëtarësuar Shqipërinë në Konferencën Islamike, duke e bërë të vetmin vend në Evropë anëtar të kësaj organizate. Tashmë, Bashkimi Evropian kërkon daljen nga kjo organizatë fetare, në mënyrë që t'i hapet rruga procesit të vizave.
Rregullorja e paraqitur për heqjen e vizave do t'i shtohet edhe një amendament i ri.
Sipas amendamentit, i cili paraqitet nga eurodeputeti i majtë holandez, Daniel Van der Stoep, si Shqipëria ashtu dhe Bosnja, më parë duhet të tërhiqen nga kjo konferencë që të fillojë zbatimi i heqjes së regjimit të vizave me dy vendet ballkanike "Kjo rregullore hyn në fuqi në qoftë se Shqipëria si anëtare dhe Bosnja si vëzhguese në Organizatën e Konferencës Islamike të heqin dorë respektivisht nga statusi i anëtarit dhe i vëzhguesit", - thuhet në amendament. Propozimi për këtë projektligj është bërë nga një eurodeputet i majtë i Parlamentit Evropian. Ky amendament i Van Der Stoep pritet të diskutohet në mbledhjen e Komisionit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Punët e Brendshme bashkë me opinionin e Komisionit të Jashtëm lidhur me heqjen e vizave, e paraqitur nga raportuesja Sara Ludford. Dy vendet e BE-së, si Holanda dhe Belgjika, kanë probleme me shumë vende myslimane për shkak të mospranimit të ambasadorëve të tyre homoseksualë. Në një kohë kur të gjithë zërat nga Parlamenti Evropian tregonin për përmbushjen e kritereve dhe heqjen e vizave, eurodeputeti holandez paraqet këtë amendim, i cili mund të rrezikojë shtyrjen e procesit të liberalizimit të vizave për vendin tonë, pasi drafti do të shkaktonte një ngadalësim të procedurës.
E pranishme në mbledhje do të jetë edhe eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, e cila është shprehur pro heqjes sa më të shpejtë të vizave për të dy vendet, Shqipërinë e Bosnjën, pasi, sipas saj, tashmë kushtet janë plotësuar. Vendi ynë ka përfituar një sërë kredish nga kjo organizatë, por asnjëherë nuk ka qenë përfaqësuar gjatë mbledhjeve të saj nga zyrtarë të lartë. Organizata e Konferencës Islamike (OKI) është një organizatë ndërkombëtare me një delegacion të përhershme në Kombet e Bashkuara, me 57 shtete anëtare. Në të pranohen vende që kanë jo më pak se 5 për qind të popullsisë së tyre me përkatësi islame. Teorikisht, mund të bëhen anëtare edhe Franca me Gjermaninë ndërkohë, Maqedonia është anëtare vëzhguese. Gjuhët zyrtare të organizatës janë arabisht, anglisht dhe frëngjisht.