Post by bato2 on Feb 26, 2011 3:59:45 GMT -5
Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar sot një aksion para Teatrit Kombëtar, në Prishtinë, si përgjigje të zhvillimeve të fundit politike në vend.
“Martesa e Pacollit me Thaçin shpreh lumturi për këta të dy por për popullin e Kosovës kjo martesë e simbolizon kurorëzimin e hajnisë. Thaçi e Pacolli janë çift ideal për të negociuar me Serbinë”, shkruan në posterët e vendosur në qendër të kryeqytetit nga aktivistët e Vetëvendosjes.
“Ndërkohë që ishte i martuar me Sejdiun, Thaçi e kishte filluar këtë lidhje të fshehtë me Pacollin. Sa herë që iu desh ndihmë, Pacolli nuk hezitoi ta ndihmonte sepse Thaçi këtë të mirë ia ktheu me tenderë. Pra, kjo lidhje dikur e fshehtë tani është bërë publike dhe këtë e ka ndihmuar në forma të ndryshme, qoftë edhe me sms ambasadori Dell i cili nuk ka lënë çështje pa i futur hundët”, ka thënë me këtë rast Vlorian Molliqaj i Vetëvendosjes.
“Ne jemi kundër kësaj martese për shkak të programit që këta politikan paraqesin dhe për shkak të asaj që ata thonë se do ta bëjnë”.
Lëvizja Vetëvendosje!, tha ai, është kundër negociatave me Serbinë dhe rrjedhimisht është edhe kundër koalicionit PDK-AKR kur dihet që ky koalicion do t’i rifillojë këto negociata të cilat janë të padrejta dhe shumë të dëmshme për Kosovën.
“Këto negociata që po përgatiten tani, janë negociata që do të përpiqen ta përfundojnë procesin e ndarjes së brendshme të Kosovës, projekt ky i cili, natyrisht, filloi me planin e Ahtisaarit që ne e patëm kundërshtuar edhe atëherë ndërsa të dyja këto parti e patën votuar në Kuvendin e Kosovës”, tha Molliqaj.
“Arsye tjetër pse në jemi kundër kësaj martese është se ky koalicion do ta vazhdojë procesin e privatizimit edhe të këtyre ndërmarrjeve publike që kanë mbetur. Pra, do t’i shesin ndërmarrjet tona shpejt dhe lirë, dhe pa hartuar kurrfarë plani zhvillimor”, shtoi ai.
“Ne angazhohemi që t’i ndalim negociatat me Serbinë dhe privatizimin e ndërmarrjeve publike, si dhe të gjitha projektet e dëmshme që tenton t´ia bëjë kjo qeveri popullit të Kosovës. Këtë do ta bëjmë edhe përmes institucioneve edhe përmes aksioneve të tilla simbolike e demonstratave gjithë-popullore”, theksoi Molliqaj
Nga Peshku pa Uje