Post by bato2 on Mar 18, 2011 2:57:48 GMT -5
Përfaqësues të NATO-s në Tiranë. Bazë raketash në Shqipëri?
Me dërgimin e anijes bartëse të raketave të telekomanduara të quajtur USS Monterey në Detin Mesdhe Associated Press njofton se ka filluar faza e parë e strategjisë së mburojës raketore që SHBA dhe NATO ka në plan të ndërtojë në Europën Lindore e Juglindore.
Ka disa vjet që SHBA ka propozuar vendosjen e raketave anti-balistike në disa pika strategjike të Europës, ndër të cilat është diskutuar më së shumti dislokimi në Poloni e në Çeki. Fillimisht, siç rrëfen në një intervistë të dhënë për Radio Free Europe, Donald Rumsfeld, amerikanët e quanin këtë strategji të mbrojtjes raketore "Mburojë Kombëtare e Raketave", mirëpo kjo bënte që gjithçka të dukej sikur i interesonte vetëm SHBA-ve. Sipas Rumsfeld, duket se partnerët e SHBA janë më të gatshëm për ta pranuar bashkëpunimin tani që plani quhet thjesht "Mburojë Raketore".
Perspektiva e ish-sekretarit Rumsfeld duket se vijon të ruhet edhe nga sekretari aktual i mbrojtjes, Robert Gates, që vazhdon të këmbëngulë për faktin se SHBA-ve iu nevojitet mbrojtje raketore nga vende të rrezikshme, si Irani, po edhe nga vende të paqëndrueshme që kanë kapacitete goditëse e zotërojnë raketa, si psh. Egjipti apo Libia. Planet e Gates duket se u vunë në linjë rakordimi me partnerët e superfuqisë së vetme në samitin që NATO zhvilloi në Lisbonë.
Dërgimi i USS Monterey në mesdhe është vetëm hapi i parë, që pritet të pasohet nga vendosja e një stacioni radarësh anti-raketë në Europën Juglindore, e më pas nga vendosja e një brezi raketash në një seri vendesh të NATO-s, ndër të cilat përmenden si strategjike vendet baltike dhe Polonia, Rumania, Bullgaria, Çekia, Turqia e Shqipëria.
Mirëpo, duket se shqetësimet më të mëdha nuk kanë zënë Ahmadinexhadin e Iranit, apo qeverisjet delikate të vendeve afrikanoveriore. Reagimet më të ashpra ndaj vënies në jetë të këtij plani të NATO-s janë botuar në ditët e para të marsit në Huanqiu Shibao, gazeta zyrtare kineze që merret me çështjet ndërkombëtare, por edhe në agjensinë shtetërore ruse ITAR-TASS. Nuk përbën çështje të panjohur për analistët e gjeopolitikës, brezi mbrojtës raketor, që po ndërtohet me këmbënguljen e fortë amerikane, më së tepërmi i drejtohet e përpiqet të kufizojë ambiciet e Rusisë e Kinës, dy vende që me rritjen ekonomike e ushtarake të viteve të fundit kanë fituar një prezencë për t'u vënë re, gjeopolitikisht.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Aleksandër Llukasheviç ndërkohë nuk hezitoi të lëshojë deklarata të forta. Në një deklaratë për shtyp të lëshuar në 10 mars ai tha se vendosja e bazave raketore të NATO-s në Poloni e detyron Rusinë të ndërmarrë masa e të reagojë duke ndërtuar një strategji për kundërpërgjigje. Rreziku është i lartë, e në fakt kjo histori shantazhesh e kundërshantazhesh ka kohë që zhvillohet, duke krijuar reminishenca të luftës së ftohtë.
Mjaft të vihet re edhe diskordanca në qëndrimin e SHBA-ve, që në 2009, përmes Hillary Clinton e garantoi Rusinë se nuk do të vendoste raketa as në Poloni as në Çeki, e ndërkohë në fillim të marsit të sivjetshëm, sërish përmes Clinton, SHBA deklarohet e vendosur në realizimin e mbrojtjes raketore në Europë.
Ndërkohë, për të vijuar agjendën e NATO-s të përpiluar në Lisbonë, dje u mblodhën në Tiranë përfaqësues të lartë të vendeve aleate, në Simpoziumin Vjetor të Politikave Bërthamore. Sipas planit raketor të iniciuar nga Obama e më pas të mbështetur nga gjithë aleanca, të quajtur "Phased Adaptive Approach", 2011 shënon fillimin e implementimit, e në dritën e problemeve me Rusinë që lindin në Poloni, Çeki e vendet balltike, duket se bazat e para do të vendosen në Turqi, Rumani e Shqipëri.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në brezin e mbrojtjes raketore është konfirmuar publikisht nga vetë kryeministri Sali Berisha, dhe nga ish-ministri i jashtëm Ilir Meta, në Rumani gjithashtu duket se ka një aprovim të fillimit të implementimit të strategjisë, ndërsa Turqia, përmes ministrit të jashtëm Davutoglu, ka kërkuar të ketë komandën e këtij brezi të mburojës raketore.
Sipas planit të NATO-s, të publikuar edhe në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë, prej 2011 deri në 2014 në këtë zonë do të instalohen teknologji interceptive (radarë antiraketë) për të identifikuar rreziqet e mundshme, si dhe disa sisteme mbrojtjeje që janë kolauduar në baza të ndërtuara më parë. Në 2015 fillon faza e dytë, në 2018 e treta e në 2020 do të jetë faza finale. Në secilën prej këtyre fazave do të përmirësohet teknologjia, duke synuar kontrollin e rreziqeve në distancë të shkurtër, të mesme e largët.
Natyrisht që ky plan nuk gjen kundërshtim vetëm në Rusi e Kinë, po edhe në shumicën e vendeve europiane, ku popujt përgjithësisht kanë ndjenja të forta të sovranitetit, që shpeshherë shfaqet edhe si antiamerikanizëm apo si mospranim i ndërhyrjes së SHBA-ve në punët e brendshme të tyre. Por edhe në vendet që dakordohen me SHBA, siç thonë dhe specialistët e realpolitikës, dakordimi paguhet. Pra, lirimi i bazave për raketat amerikane, në shtetet që e pranojnë këtë strategji, vjen si pasojë e negociatave. Logjika është e thjeshtë SHBA merr bazat, por edhe shteti pritës përfiton diçka.
Takimet që zhvillohen dje e sot në Tiranë mes përfaqësuesve të vendeve të NATO-s janë me dyer të mbyllura, e nuk mund ta dimë për çfarë po flitet. Ama, situata e krijuar që prej fillimit të marsit lë të kuptohet se patjetër pjesë e bisedimeve është edhe operacioni i përbashkët për realizimin e mburojës raketore.
E dimë që Berisha publikisht ka shprehur dëshirën për të "ndihmuar" SHBA-të në këtë iniciativë ushtarake. Por çfarë i ka kërkuar në shkëmbim pala shqiptare negociatorëve amerikanë? Për këtë do të duhet ndoshta të pyesim edhe ambasadorin amerikan në Tiranë, zotin Aleksandër Arvizu, natyrisht pasi të përfundojë fushata elektorale, e cila duket se po e impenjon edhe personalisht, gjithnjë e më shumë...