Post by bato2 on Mar 27, 2011 8:48:51 GMT -5
Urdhëri i kryeparlamentares i qershorit 2010 për shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara mes Shqipërisë, anëtare të NATO-s dhe Rusisë.
Heqja e lajmit kompromentues nga faqja e Kuvendit, vizita e nënkryetares së PDSH-së në takimin e partisë së Putinit, thirrja ndaj Moskës për shtrirjen e gazsjellësit në Shqipëri dhe së fundi akuza e KE-së ndaj kryetares së Kuvendit për arrogancë
Pa kaluar as dy javë qëkurse KE-ja kritikoi nominalisht kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli për arrogancë, rusët nxitojnë ta dekorojnë ditët e fundit gjatë një vizite në vendin e tyre.
E përditshmja “Shekulli” ka zbuluar se në qershor të viti 2010, me urdhër të Topallit, kryetari i komisionit të jashtëm Fatos Beja, ka biseduar me qeverinë ruse rreth shkëmbimit të informacioneve të klasifikuara mes një vendi anëtar të NATO-s dhe një tjetri joanëtar.
Në nëntor spikerja e parlamentit shqiptar Jozefina Topalli sajdiset në vendin e stepave, pasi u prit nga njerëz të rëndësishëm, që kanë vlerësuar “konceptin e ri të qeverisë Berisha për politikën e jashtme”.
Nuk është e rastit që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shkoi në Federatën Ruse, në një vizitë zyrtare dyditore, me ftesë të Kryetarit të Dumës Shtetërore, Boris Grizllov, politikan rus nga më të rëndësishmit në Moskë, kryetar i këshillit suprem të partisë në pushtet, forcë politike konservatore e qendrës së djathtë, “Rusia e Bashkuar” nga viti 2002. Ajo që bie në sy, vizitën e nënkryetares së PDSH-së në “Romën e Tretë” pushtetarët e Kremlinit e paraqitën si veprimtari partiake në organin zyrtar “Rusia e Bashkuar”.
Pas institucionalizimit të bashkëpunimit mes PDSH-së dhe Partisë Komuniste së Kinës, tani e tutje demokratët shqiptarë mund të jenë edhe kuqeverdhë komunistë edhe “arinj” bardheblu konservatorë.
RIDIMENSIONIM
Pa u mbushur dy javë nga raporti i KE-së më vlerësime negative për Shqipërinë dhe posaçërisht për kryeparlamentaren, një delegacion i Kuvendit të Shqipërisë, i kryesuar nga Jozefina Topalli, zhvilloi më 22 dhe 23 nëntor 2010 një vizitë dyditore në Federatën Ruse. Vizita u bë më ftesë të kryetarit të Dumës Shtetërore (Dhoma e Ulët e parlamentit rus), Boris Grizllov.
Që nga vizita e kreut të Parlamentit shqiptar (Pjetër Arbnori), të cilit zyra e shtypit e Topallit nuk ia përmend emrin në njoftimin zyrtar) në vitin 1995, kjo është vizita e nivelit më të lartë në dialogun politik dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve, bën të ditur njoftimi i Kuvendit. Topalli i ka thënë Grizllovit se “është momenti të ridimensionojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin në fushat me interes reciprok”.
Duke theksuar se Shqipëria dhe Rusia kanë njohur lidhje historike sidomos ato pas Luftës së Dytë Botërore të iniciuar nga Enver Hoxha dhe Stalini, të dy homologët vlerësuan se është momenti për një kapitull të ri bashkëpunimi dhe se kjo vizitë nxit bashkëpunimin ndërparlamentar, por edhe inkurajon hapa konkretë në marrëdhëniet në tërësi midis dy vendeve.
GAZSJELLËSI
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se Topalli e konsideron si diçka të kryer “përfshirjen e Shqipërisë, si degëzim në projektet e gazsjellësve të mëdhenj, si ‘Rryma e Jugut’ (rusisht ‘Juzhnij Potok’, anglisht ‘South Stream’)”.
Por në njoftimin zyrtar të zyrës së shtypit të Dumës Ruse nuk përmendet fare ajo që thotë zyra e Kuvendit të Shqipërisë se “Kryetari i Dumës tha se Rusia, si eksportuese e naftës dhe e gazit, sheh me interes edhe ngritjen e industrisë përpunuese në Shqipëri”.
Ndërkaq kryetari i Komitetit për Politikën e Jashtme në Dumën ruse, Konstantin Kozaçov, i tha televizionit publik shqiptar se “nuk e di nëse Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse ose jo në projektet e South Stream-it”.
Është e çuditshme që politikani i lartë rus që kryeson komitetin e politikës së jashtme të Dumës nuk e di se ç’plane ka qeveria e tij, por këtë e dinë kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe spikerja e Kuvendit Jozefina Topalli. Ndonëse as njëri as tjetra nuk janë takuar me Presidentin Dmitri Medvedev apo me kryeministrin Vladimir Putin.
MESAZH
Por Kozaçovi dha një mesazh kuptimplotë: “Pavarësisht disa mosmarrëveshjeve, kemi nevojë për dialog të mirë dhe, nëse do të kemi mirëkuptim më të mirë politik me njeri-tjetrin, do të kemi nevojë për bashkëpunim thelbësor në sektorin ekonomik. Aktualisht, ai është në një nivel të pakënaqshëm…
Mendoj se është e rëndësishme të kemi bashkëpunim të thellë për integrimin e ekonomive të të dy vendeve, si dhe, në veçanti, bashkëpunim me interes reciprok, përsa i përket sektorit energjetik… Në rast se Shqipëria është vërtetë e interesuar, kam bindjen se në këtë kuadër bashkëpunimi nuk do të ketë asnjë pengesë politike” për gazsjellësin rus në Shqipëri.
PUTINI
Më 25 qershor 2007, ish-Presidenti Vladimir Putin, aktualisht kryeministër, duke folur në samitin energjetik të Ballkanit deklaroi: “Rusia interesohet për vazhdimin e negociatave për shitjet e gazit, shfrytëzimin e mëtejshëm të mundësive tranzituese të rajonit, si dhe për ndërtimin e depozitave të nëndheshme të gazit në një sërë shtetesh ballkanike.
Kjo, padyshim, do të përmirësojë jo vetëm furnizimin energjetik të rajonit, por dhe do ta bëjë më atraktiv, më të rëndësishëm nga pikëpamja e zgjidhjes së problemeve energjetike në krejt Evropën. Paraqet interes gazifikimi i territorit të Maqedonisë duke zgjeruar rrjetin e gazsjellësve në Shqipëri, Serbinë Jugore, Kosovë”.
Por është fakt se, më 23 nëntor, kur Topalli i kërkonte Moskës shtrirjen e “South Stream”-it në Shqipëri, KE-ja nuk miratoi marrëveshjen midis Bullgarisë dhe Rusisë për projektin “Rryma jugore”.
Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me legjislacionin evropian. Shkaku konkret për reagimin e Brukselit u bë marrëveshja e nënshkruar mes Rusisë dhe Bullgarisë për krijimin e një kompanie të përbashkët për ndërtimin e gazsjellësit, e nënshkruar më 13 nëntor 2010 në Sofje, në prani të Putinit.
SPY STORY
Personalisht, Topalli ka urdhëruar shkëmbimin e informacioneve sekrete midis SHISH-it dhe Shërbimit Federal të Sigurimit të Federatës Ruse (FSB). Më 8-9 qershor 2010, me ftesë të kryetarit të komisionit për Politikën e Jashtme të Dumës ruse Konstantin Kosaçov vizitoi Moskën një delegacion i komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë.
Mësohet se delegacioni i kryesuar nga kryetari i komisionit të Jashtëm Fatos Beja, u takua në komisionin e Jashtëm të Dumës ruse me drejtues të tij, si dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Vladimir Titov. Ka ngjallur shqetësim në strukturat e NATO-s informacioni se në takimin e Bejës me Titovin “u shkëmbyen mendime edhe për bashkërendimin e politikave dhe eksperiencave dypalëshe në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar, trafiqeve të paligjshme etj.”.
Të njëjtën gjë ka pohuar në dhjetor 2009 dhe shkurt 2010 ambasadori shqiptar në Moskë, Sokol Gjoka (“një nga drejtimet e bashkëpunimit aktiv ndërkombëtar të Shqipërisë, dhe me Federatën Ruse, përfshin kooperimin e shërbimeve inteligjente, shkëmbimin e informacionit dhe veprimet operative konkrete”). Por njoftimi është hequr nga uebi i Kuvendit, por ka mbetur në arkivin e “Google-it” nëpërmjet një njoftimi të ATSH-së, gjë që përbën një skandal më vete.
Gjoka ka pohuar se në Shqipëri është krijuar traditë e mirë për të dërguar diplomatët e ardhshëm për studime në universitetin MGIMO pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, të diplomuarit e të cilit janë disa nga ambasadorët e tanishëm shqiptarë në vende të ndryshme.
I tillë është ambasadori shqiptar në Kosovë, Islam Lauka, që është doktoruar në Akademinë Diplomatike të Ministrisë së Jashtme të Rusisë në vitin 1994, teksa punonte si sekretar i ambasadës shqiptare në Moskë. Dhe temën e ka mbrojtur me… problemin e Kosovës!
Jemi informuar se të paktën dy shqiptarë, të trajnuar në strukturat e të diplomacisë ruse, aktualisht punojnë në përfaqësinë e Moskës.
TROJKA ENVERISTE-STALINISTE-MAOISTE
Vizitën e spikeres së parlamentit, nënkryetare e PDSH-së Jozefina Topalli në “Romën e Tretë” “arinjtë” e reklamuan si veprimtari partiake në organin zyrtar “Rusia e Bashkuar”. Logoja e “Rusisë së Bashkuar” ka një ari në ngjyrë bardhe e blu dhe mbi të flamuri kombëtar. Anëtarët e “Rusisë së Bashkuar” e quajnë veten dhe “arinj”.
Pas institucionalizimit të bashkëpunimit mes PDSH-së dhe Partisë Komuniste së Kinës, tani e tutje demokratët shqiptarë mund të jenë edhe kuqeverdhë komunistë edhe “arinj” bardheblu konservatorë.
Me sa duket, më rëndësi kanë gjigantët euro-aziatikë se sa BE dhe SHBA. Fill pas refuzimit të statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE, Topalli kërkoi shtrirje drejt Adriatikut të gazsjellësit “South Stream”, rival i “Nabuço-s” evropian dhe AMBO-s amerikane.
Në komentin e gazetës ER (inicialet për “Edinaja Rossija” – “Rusia e Bashkuar”, partia e Putinit) të 22 nëntorit, përfaqësuesja e kësaj partie dhe njëkohësisht nënkryetare e Dumës Shtetërore Nadezhda Gerasimova tha mes të tjerave: “Vitet e fundit kontaktet parlamentare ruse-shqiptare janë karakterizuar nga njëfarë ndërprerjeje relative.
Por pas adaptimit të një konceptimi të ri të politikës së jashtme nga ana e qeverisë Berisha dhe vizitës më 6-9 qershor 2010 të delegacionit të komisionit për punët e jashtme të parlamentit të Shqipërisë të kryesuar nga kryetari i komisionit [Fatos] Beja pala shqiptare filloi të demonstrojë interes në rritje për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm me Rusinë, ndër të tjera dhe në sferën parlamentare”.
Gazeta e partisë në pushtet ER shkruan se “miratimi pak kohë më parë nga parlamenti shqiptar i projektligjit për mbrojtjen e investimevc të huaja synon nxitjen e zhvillimit të të lidhjeve me interes reciprok dhe krijimin e kushteve të favorshme për bashkëpunim midis biznesit rus dhe atij shqiptar”.
Boris Grizllov, kryetar i Dumës Shtetërore është dhe kryetar i këshillit suprem të partisë në pushtet, forcë politike konservatore e qendrës së djathtë, “Rusia e Bashkuar” nga viti 2002.
SALLA E KUQE
Nga “gropa” ku e futi KE-ja, Topalli fluturon në qiellin e shtatë të Rusisë. Edhe pse e urren ngjyrën e kuqe, pikërisht në “Krasnij Zall” (Salla e Kuqe) të Pallatit Marijinskij të Shën Peterburgut, kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli iu rezervua një pritje e veçantë.
Këtu kryetari i Asamblesë Legjislative i bashkisë së “kryeqytetit” të dytë të Rusisë Vadim Tjulpanov i dorëzoi Topallit Medaljen e Nderit, dekoratë që u jepet vetëm personaliteteve me kontribut të shquar në politikë (63 vjet më parë, më 10 mars 1948, në selinë e legatës sovjetike në Tiranë, shefit të regjimit komunist Enver Hoxha iu dorëzua “Urdhri Suvorov kl. I” akorduar nga ish-Presidiumi i Sovjetit Suprem të BRSS. Pastaj, pas prishjes me Titon, Hoxha u bë stalinist i thekur).
Tjulpanov dhe përfaqësuesi i Asamblesë Legjislative për marrëdhëniet ndërkombëtare Vatanjar Jagia diskutuan me delegacionin e kryesuar nga Topalli për zhvillimin e marrëdhënieve mes Shën Peterburgut dhe Shqipërisë, hapjen e konsullatës së nderit të Shqipërisë në Peterburg.
Lajmi 10 qershorit 2010 u hoq nga faqja e Kuvendit për bisedimet Beja-Kosaçov në Moskë
Topalli: Bashkërendim mes shërbimeve sekrete ruse-shqiptare
Personalisht, Topalli ka urdhëruar shkëmbimin e informacioneve sekrete midis SHISH-it dhe Shërbimit Federal të Sigurimit të Federatës Ruse (FSB). Më 8-9 qershor 2010, me ftesë të kryetarit të komisionit për Politikën e Jashtme të Dumës ruse Konstantin Kosaçov vizitoi Moskën një delegacion i komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë.
Mësohet se delegacioni i kryesuar nga kryetari i komisionit të Jashtëm Fatos Beja, u takua në komisionin e Jashtëm të Dumës ruse me drejtues të tij, si dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Vladimir Titov.
Ka ngjallur shqetësim në strukturat e NATO-s informacioni se në takimin e Bejës me Titovin “u shkëmbyen mendime edhe për bashkërendimin e politikave dhe eksperiencave dypalëshe në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar, trafiqeve të paligjshme etj.”. Këtë fakt mundohet ta fshehë kryetarja e Parlamentit, pasi e ka fshirë nga arkivi i uebit të Kuvendit të Shqipërisë.
Por këtë e pranon uebi i Dumës Shtetërore Ruse. Të njëjtën gjë ka pohuar në dhjetor 2009 dhe shkurt 2010 ambasadori shqiptar në Moskë, Sokol Gjoka (“një nga drejtimet e bashkëpunimit aktiv ndërkombëtar të Shqipërisë, dhe me Federatën Ruse, përfshin kooperimin e shërbimeve inteligjente, shkëmbimin e informacionit dhe veprimet operative konkrete”).
Gjoka ka pohuar se në Shqipëri është krijuar traditë e mirë për të dërguar diplomatët e ardhshëm për studime në universitetin MGIMO pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, të diplomuarit e të cilit janë disa nga ambasadorët e tanishëm shqiptarë në vende të ndryshme.
Fill pas skandalit të bërë publik, në muajin gusht 2010, mbi deklarimin e ambasadorit shqiptar në Moskë se ka bashkëpunim mes shërbimeve sekrete (rusisht: “specslluzhb”) të Rusisë dhe Shqipërisë, administrata e Kuvendit të Shqipërisë ka nxituar të heqë lajmin. Duket se deklarimi i ambasadorit Gjoka nuk është bërë me kokën e vet, por me bekimin e Ilir Metës (atëherë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm) dhe, të paktën, të Jozefina Topallit.
Fakti që u bë zhurmë e madhe dhe reagoi Brukseli (selia e NATO-s) dhe u kërkuan sqarime, detyroi Ilir Metën të mbyllë gojën, por të flasë për Kim Filbi! Topalli nxitoi të fshijë gjurmët e saj. Por ambasadorët kanë varësi dhe nga Presidenti. Nuk dihet nëse ky i fundit është pyetur për prapaskenat e sekreteve të NATO-s.
Ja njoftimi i fshirë nga arkivi i uebit të Kuvendit
Një delegacion parlamentar shqiptar viziton Federatën Ruse
Nxitja e bashkëpunimit dypalësh me Rusinë në fushat me interes reciprok ishte në qendër të vizitës që një delegacion i komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi në Moskë më 8-9 qershor, me ftese të kryetarit të komisionit për Politikën e Jashtme të Dumës ruse, Konstantin Kosacov.
Gjatë qëndrimit në Moskë, delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryetari i komisionit të Jashtëm, Fatos Beja u takua në komisionin e Jashtëm të Dumës ruse me drejtues të tij, si dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, me zv/ministrin e Jashtëm, Vladimir Titov.
Në këto takime palët parashtruan vullnetin e tyre politik për të nxitur bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Ata ju referuan bashkëpunimit ndërparlamentar, si një nga drejtimet bazë të tij, ku mund të diskutohen çështje të ndryshme të marrëdhënieve dypalëshe, por dhe ato mbi zhvillimet ndërkombëtare.
Gjatë takimit me zv.ministrin e Jashtëm rus, Titov u shkëmbyen mendime për përmirësimin e kuadrit ligjor në bashkëpunimin dypalësh, bashkërendimin e politikave dhe eksperiencave dypalëshe në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar, trafiqeve të paligjshme [theksimi është i autorit të shkrimit] etj, si dhe nxitjen e bashkëpunimit në fushën ekonomiko-tregtare, të arsimit, shkencës, kulturës, në kuadër të organizatave ndërkombëtare etj.
Një temë e rëndësishme e bisedimeve ishin dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit, ato në Kosovë dhe qëndrimet e palëve, veçanërisht, për pavarësinë e Kosovës, për të cilën pala ruse vlerësoi rolin dhe kontributin konstruktiv të Shqipërisë për ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit, paqes, sigurisë dhe zhvillimit në rajonin e Ballkanit.
Kryetari i komisionit të Jashtëm të Dumës ruse, Kosaçov, gjatë takimit me parlamentarët shqiptarë tha se mirëpret vizitën zyrtare të kryetares së Kuvendit të Shqipërise, Jozefina Topalli, në Federatën Ruse.
Ambasadori shqiptar në Prishtinë, i kualifikuar në MPJ-në e Rusisë
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, është kualifikuar nga nëpunësit e dikasterit përkatës rus pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri dhe Rusi. Dhe pse në periudhën 1991 deri në 1995, punonte në ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Moskë si sekretar i parë dhe i ngarkuar me punë, në vitin 1994, Islam Lauka ka kryer një kurs në Akademinë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse.
Këtu, ka kërkuar gradën e kandidatit të shkencave politike me disertacionin “Evoluimi i problemit të Kosovës dhe situata e saj e sotme”, [fondi: KX, shifra: Аv 7 /9720, inventar.nr.: 0624501].
Islam Lauka u emërua më 12 dhjetor 2008 ambasador i Shqipërisë në Prishtinë.
Ai është i pari ambasador zyrtar në Prishtinë pas shpalljes së Pavarësisë. Lauka e njeh mirë Kosovën dhe kjo për faktin se ka shkruar disa libra mbi çështjen e Kosovës, “Kosova rast universal apo sui generis” dhe “Shkëputja e Kosovës nga Rusia”, dy libra me studime.
Ka lindur në Tropojë më 26.06.1954, ka mbaruar studimet e larta për rusisht në Tiranë, ka kryer një sërë kualifikimesh duke mbajtur edhe titullin doktor i shkencave politike etj.
Doktor i shkencave politike, mban dhe gradën personale diplomatike, me titullin “këshilltar”.
Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, president i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikano-Britanike. Ka përvojë të pasur si diplomat, duke nisur që nga puna referent dhe më pas përgjegjës sektori. Prej një viti ka qenë drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Marrëdhënieve Shumëpalëshe në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Në CV e tij përmend kursin e diplomacisë në vitin 1985 dhe kursin e filozofisë [marksiste-leniniste-staliniste-enveriste] në vitin 1982, por për modesti nuk përmend kursin në Moskë, në vitin 1994 në ministrinë e Jashtme Ruse, të kontrolluar nga shërbimet sekrete, teksa ishte nr. 2 i ambasadës shqiptare në Moskë.
2006, ujdi sekrete kosovare – osetine?
Ish-kryeministri kosovar Agim Çeku gjen gjuhën e përbashkët me delegacionin nga Abhazia dhe Osetia Jugore në korridoret e Duma-s shtetërore, më 30 nëntor 2006, faktin e bujshëm e të panjohur e bën të ditur e përditshmja RG (“Rossijskaja Gazeta” – Gazeta Ruse), fletore zyrtare dhe e përditshme informative e Qeverisë së Federatës Ruse, me tirazh 400 mijë kopje.
Në një shkrim të 19 gushtit 2009 në “Rossijskaja gazeta”, korrespondenti në Tiranë i kësaj gazete, Sergej Zharkih, ka shkruar, ndër të tjera:
“… na duhet të kujtojmë një fakt për të cilin, ndoshta, pak kush ka dijeni. Gjatë vizitës që bëri në vitin 2006 kryeministri i atëhershëm i Kosovës Agim Çeku në Moskë, komunikoi mjaft gjatë dhe miqësisht në korridoret dhe kthinat e parlamentit tonë [Duma e shtetit] me delegacionin nga Abhazia dhe Osetia Jugore.
Kreu i qeverisë së Kosovës, që ende nuk ishte njohur në atë moment, gjeti shpejt gjuhën e përbashkët me bashkëbiseduesit, u uroi sukses, pasi u tha se i mirëkupton ata”. Këtij lajmi të një korrespodenti rus në Tiranë mund të mos i jepej rëndësi apo të konsiderohej spekulativ, por redaksia e RG-së ndodhet në Kremlin.
Vizita e Çekut në Moskë ka pasur jehonë ndërkombëtare, në SHBA, Britani e Madhe, por dhe në Prishtinë, Beograd dhe në Moskë. Deputetë rusë, qarqe nacionaliste dhe proserbe në Moskë e konsideruan ftesën e bërë Çekut si tradhti. U nënvizua fakti se ish-komandanti i UÇK-së u ftua nga zëvendësministri i Jashtëm Vladimir Titov dhe kryetari i komitetit për çështjet ndërkombëtare i dhomës së ulët të parlamentit rus, Konstantin Kosaçov dhe u prit nga disa deputetë. Titovi e konsideroi vizitë jozyrtare, në linjën e kontakteve parlamentare.
Rusët në fund të vitit 2006 kishin dhe interesa ekonomikë në Kosovë (investimet në minierën e aluminit dhe energjitikë – TEC-et e Kosovës). Nga ana tjetër, Rusinë e preokupon qëndrimi proamerikan i shqiptarëve dhe prania e një baze ushtarake në Ferizaj. Në 9 qershor 2007, kur ish-Presidenti amerikan Xhorxh Bush vizitonte Shqipërinë, në Budva të Malit të Zi ndodhej për pushime shefi i zbulimit të jashtëm të FSB-së, pasardhëses së KGB-së, gjenerali Lebedev.
www.shekulli.com.al