|
Post by todhrimencuri on May 16, 2009 15:03:09 GMT -5
Kryengritjet shqiptare të viteve 1836-1839
Edhe pse kryengritjet e viteve 1834-1835 u shtypën, gjendja në Shqipëri nuk u qetësua. Porta e Lartë ishte e vendosur të zbatonte reformat dhe priste rastin e volitshëm për të shkelur premtimet që u kishte bërë shqiptarëve. Por edhe shtresat e gjera të popullsisë shqiptare ishin të vendosura të mos i pranonin ato dhe barrën e rëndë që sillte zbatimi i këtyre reformave. Ndërkaq, përballë qëndresës së përgjithshne të shqiptarëve, Porta e Lartë u detyrua të ndërrojë taktikë, hoqi dorë nga zbatimi i menjëhershëm i reformave në të gjitha tokat shqiptare, duke i vënë në jetë pjesë-pjesë. Në të njëjtën kohë, para zbatimit të tyre, bëri për vete mjaft krerë feudalë të lëkundur. Në këto rrethana kryengritjet, edhe pse vazhduan pareshtur, nuk arritën të merrnin një shtrirje të gjerë, në rrafsh kombëtar, por mbetën të kufizuara në caqet lokale ose krahinore, që i dha mundësi Stambollit t’i shtypte më lehtë. Në verën e vitit 1836 shpërtheu kryengritja në krahinën e Vlorës, e udhëhequr përsëri nga Tafil Buzi, por ajo nuk zgjati shumë. Pas një viti rifilloi në përmasa më të gjera në Myzeqe. Qëndresa e armatosur u shtri edhe në trevat veriore të vendit, në Rrafshin e Dukagjinit, në Kosovë dhe në krahinën e Dibrës. Në vjeshtën e vitit 1836 popullsia shqiptare e krahinave të Bihorit e të Tërgovishtës nuk pranoi të regjistroheshin ushtarët rezervistë. Në fillim të vitit 1837 u ngrit popullsia e Matit, dëboi qeveritarin e huaj dhe e detyroi valiun e Rumelisë të risjellë atje Haxhi pashë Matin, të shkarkuar pas kryengritjes së Shkodrës. Në qershor të vitit 1837 kryengritja e drejtuar nga Alush bej Frakulla përfshiu krahinën e Myzeqesë. Në ditët e para të qershorit 1837 kryengritësit u ndeshën me forcat osmane përpara qytetit të Beratit dhe i thyen ato. Kundër tyre u hodh Emin Pasha, me një ushtri prej 5 000 vetash, që mbërriti në fillim në Berat për të kaluar më pas në Myzeqe. Në një përleshje të pabarabartë në fshatin Frakull kryengritësit u mundën. Alush Frakulla me 150 veta u kapën dhe u dënuan me punë të detyruar. Megjithëse kryengritja u shtyp, Emin Pasha nuk guxoi të zbatonte reformën ushtarake. Po në verën e vitit 1837 lëvizja kryengritëse u shtri në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të Plavës e të Gucisë, ku shpërtheu qëndresa e armatosur kundër rekrutimit të ushtarëve nizamë e kundër taksave që shoqëronin reformat. Kryengritësit gjakovarë shpartalluan forcat qeveritare, shtinë në dorë qytetin e Gjakovës dhe shpallën vetëqeverisjen e krahinave të tyre. Kjo ishte një fitore e rëndësishme e kryengritësve, por në një zonë relativisht të kufizuar. Kjo u dha mundësi forcave osmane, të përkrahuara edhe nga krerë vendas, ta shtypnin lëvizjen brenda një kohe të shkurtër. Më ndryshe u zhvilluan ngjarjet në krahinën e Dibrës e në atë të Prizrenit. Në vjeshtën e vitit 1837 rreth 8 000 kryengritës nga Dibra e Sipërme dhe e Poshtme iu kundërvunë përpjekjeve të Portës së Lartë për kufizimin e vetëqeverisjes lokale të kësaj krahine. Kryengritësit rrethuan qytetin e Dibrës së Madhe dhe mblodhën në katundin Krifcë Kuvendin e tyre, i cili kërkoi nga të dërguarit e valiut të Rumelisë zëvendësimin e një nëpunësi të huaj, të caktuar prej tij me një shqiptar si edhe garancinë për të mos dënuar asnjë kryengritës. Vendosmëria e kryengritësve e detyroi Portën e Lartë të pranonte kërkesat e tyre. Kështu në krahinën e Dibrave u ruajt tradita e qeverisjes prej nëpunësve vendas. Në ditët e para të muajit gusht të vitit 1839 kryengritja përfshiu qytetin e Beratit, që varej atëherë nga sanxhaku i Vlorës. Qindra qytetarë sulmuan selinë e qeveritarit të Beratit, i cili mundi të shpëtojë duke u mbyllur në kala. Kryengritja u shtri në tërë krahinat e sanxhakut të Vlorës. Në Kuvendin që u mbajt në qytetin e Beratit përfaqësuesit e kryengritësve i paraqitën sulltanit të ri, Abdyl Mexhitit, në emër të të gjithë Shqipërisë së Jugut, kërkesën për vendosjen e një administrate civile e ushtarake shqiptare në të gjitha hallkat shtetërore. Si qeveritar i përgjithshëm i saj u propozua Ismail Pasha, nipi i Ali pashë Tepelenës dhe djali i Veli Beut. Kryengritësit mendonin se emri i mirë i kësaj shtëpie do të ndikonte në bashkimin e shqiptarëve dhe të tokave të tyre. Në shtator 1839 kryengritësit shtinë në dorë kështjellën. Në këto rrethana Porta e Lartë u detyrua të pezullojë përkohësisht reformat centralizuese. Në mesin e shtatorit të vitit 1839 lëvizja kryengritëse u shtri në Prizren, banorët e të cilit rrëmbyen armët dhe e detyruan qeveritarin osman, Ismet Pashën, të largohej nga qyteti. Një delegacion i kryengritësve i kërkoi Portës së Lartë që të hiqte taksat e reja, t’u jepej fund grabitjeve, t’i njihej sanxhakut të Prizrenit një qeverisje autonome, duke e shkëputur njëkohësisht nga varësia e drejtpërdrejtë ushtarake nga qeveritari (myshiri-mareshali) i Rumelisë. Ky u orvat të përdorte mirditasit dhe kapedanin e tyre për të shtypur kryengritjen. Por mirditorët, tek të cilët ishte forcuar tanimë vetëdija politike, nuk pranuan të luftonin kundër vëllezërve të tyre. Porta e Lartë u detyrua që edhe në këtë sanxhak të ndërpriste zbatimin e reformave centralizuese. Si rrjedhojë e kryengritjeve shqiptare të viteve 30 reformat centralizuese nuk u çuan deri në fund, mbetën në gjysmën e rrugës. Porta nuk arriti të zëvendësonte, në gjithë administratën lokale, nëpunësit vendas me turq. Krahina e Shkodrës u përjashtua nga reformat dhe mbeti kështu deri në mesin e atij shekulli. Reformën ushtarake Stambolli u orvat ta vinte në jetë në Shqipëri nëpërmjet ekspeditave të njëpasnjëshme ushtarake, që mobilizonin me forcë ushtarët nizamë e rezervistë, ndërsa reforma gjyqësore nuk arriti të zbatohej.
|
|
|
Post by todhrimencuri on May 16, 2009 15:03:31 GMT -5
Kryengritja e vitit 1847 në Shqipërinë e Jugut
Në Shqipërinë e Jugut Porta e Lartë e shpalli me bujë Tanzimatin (dekretin e Gjylhanesë) më 1845, në një ceremoni të organizuar në Janinë. Por kishte vite që vendi po i ndiente pasojat shkatërrimtare të ekspeditave ushtarake dhe të arbitraritetit të nëpunësve grabitqarë osmanë. Në sanxhakun e Beratit, të formuar rishtazi, që përfshinte edhe krahinat e Vlorës, të Mallakastrës, të Skraparit e të Përmetit, u ngarkua me detyrën e mytesarifit Hysen pashë Vrioni, çifligari më i madh i atyre trevave. Forca të rëndësishme ushtarake, një pjesë e të cilave udhëhiqeshin nga Hysen pashë Vrioni, filluan të përshkonin vendin duke çarmatosur popullsinë dhe duke nxjerrë me forcë taksa e nizamë. Një dëshmitar i kohës, Demir agë Vlonjati, tregon se, sapo afroheshin ekspeditat turke, të gjithë njerëzit iknin nga shtëpitë “sikur të kishte rënë murtaja”. Zbatimi me dhunë e me vrazhdësi i reformave, ndonëse në krye u bë vetëm në disa krahina, e kishte shtuar së tepërmi urrejtjen e masave popullore ndaj sundimtarëve osmanë dhe kishte përgatitur truallin për një kryengritje të re. Duke e ndier këtë rrezik, qeveritarët osmanë i ftuan krerët e Toskërisë në Manastir për t’i bindur që të hiqnin dorë nga qëndresa e të pranonin Tanzimatin. Të njëjtën gjë bënë në Janinë me rreth 800 agallarë e koxhabashë të fshatrave, si edhe me përfaqësues të parisë së qyteteve e të institucioneve fetare. Ata zyrtarisht u dhanë autoriteteve osmane përgjigje pozitive, por në të vërtetë, siç doli më vonë, shumica kishte vendosur ta kundërshtonte me të gjitha mjetet sistemin e ri. Për organizimin më të mirë të qëndresës, krerët e Shqipërisë së Jugut mblodhën kuvendin e tyre në Mesaplik të Vlorës, në qershor 1847, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga mjaft krahina të Shqipërisë, kryesisht të asaj të Jugut. Shumicën dërrmuese në kuvend e përbënin përfaqësuesit e fshatarësisë. Kuvendi u shpreh kundër Tanzimatit dhe vendosi të mos jepeshin ushtarë, të mos paguheshin taksa të reja dhe të mos pranohej administrata e re osmane. Ai mori edhe vendime të tjera me rëndësi të madhe politike. Kuvendi e shpalli popullin shqiptar, myslimanë e të krishterë, një dhe të pandarë, bëri thirrje që të gjithë, pa përjashtim, të hidheshin në luftë kundër sundimtarëve osmanë dhe kërkoi që t’u sigurohej jeta, nderi e pasuria të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga feja. Kuvendi porositi që forcat e armatosura shqiptare, të cilat do të mblidheshin në krahina të ndryshme, të mos i shkaktonin as dëmin më të vogël popullsisë dhe ushqimi i luftëtarëve të sigurohej nga taksat e vjetra që jepte vendi. Mbi këto baza u formua besëlidhja e përfaqësuesve të Shqipërisë së Jugut ose, siç u quajt, “Lidhja Kombëtare Shqiptare”. Lidhja formoi një komitet për drejtimin e veprimtarisë politike e ushtarake, në krye të të cilit u zgjodh Zenel agë Gjoleka nga Kurveleshi, i dëgjuar për trimërinë dhe për përvojën luftarake që kishte fituar në kryengritjet e viteve 30. Kur në fillim të korrikut xhelepçinjtë erdhën në Kurvelesh për të mbledhur taksat e bagëtive, ata u pritën me armë nga popullsia. Zenel Gjoleka me 500 luftëtarë u drejtuan kundër Delvinës, qendër e administratës osmane, të cilën e çliruan. Kryengritja përfshiu gjithë Labërinë dhe brenda pak kohësh u përhap edhe në trevën e Çamërisë, të Përmetit dhe sidomos të Mallakastrës, ku fshatarët kryengritës zgjodhën si udhëheqës Rrapo Hekalin. Në të njëjtën kohë shpërthyen kryengritje në trevat veriore, në rrethet e Elbasanit, të Tiranës, të Matit, të Dibrës, të Plavës e të Gucisë. Çifligarët vrionas mobilizuan të gjitha forcat e tyre dhe, të përkrahur nga reparte ushtarake turke, sulmuan Mallakastrën. Një betejë e ashpër që zgjati tri ditë u zhvillua në fshatin Greshicë. Kryengritësit, të cilëve u erdhën në ndihmë fshatarë nga Myzeqeja dhe nga krahina e Vlorës, i shpartalluan forcat armike dhe kapën të gjallë Isuf bej Vrionin me të vëllanë, që kryesonin ekspeditën; të dy i ekzekutuan në Qafën e Sinjës. Pas kësaj fitoreje kryengritësit, rreth 1 000 veta, me Rrapo Hekalin në krye, iu drejtuan Beratit dhe e rrethuan. Pas disa ditë luftimesh qyteti ra në duart e tyre. Kryengritësit u përpoqën të merrnin kështjellën ku ishin strehuar qeveritarët turq e vendas, si edhe forcat turke, por u detyruan të tërhiqeshin nga zjarri i fortë i artilerisë. Për të mbajtur kalanë të rrethuar, në Berat u grumbulluan forca të reja të ardhura nga krahinat përreth, deri nga Dangëllia e Përmeti. Ndërkohë, forcat e shtuara të kryengritësve, të udhëhequra nga Zenel Gjoleka, po arrinin suksese të reja. Pasi shpartalluan një ushtri turke që vinte nga Janina, ata sulmuan Gjirokastrën dhe e rrethuan garnizonin në kala. E shqetësuar nga këto humbje dhe nga përhapja e gjerë e kryengritjes, qeveria e Stambollit, e cila në fillim mendonte t’i bënte ballë kryengritjes me forcat që kishte në vend, mobilizoi trupa të reja, të cilat u përqendruan sidomos në Manastir e në Janinë për të asgjësuar vatrat më të rrezikshme të kryengritjes në jug. Qeveria turke zuri edhe brigjet detare, për të ndaluar ndihmën që mund t’u vinte kryengritësve nga Muhamet Aliu i Egjiptit. Për t’i ardhur në ndihmë garnizonit të rrethuar në Gjirokastër, u dërgua nga Thesalia një ushtri prej 3 000 vetash nën komandën e një feudali shqiptar, Shahin bej Kosturit. Por, që në përpjekjet e para me kryengritësit në jug të Gjirokastrës, forcat turke u thyen nga forcat shqiptare të udhëhequra nga Zenel Gjoleka. Fitoret e kryengritësve bënë bujë në Shqipëri dhe jashtë saj. Jehona e tyre u ndie edhe në Kosovë, ku filluan të dukeshin shenjat e një lëvizjeje të re. Nëpunësit turq braktisnin në panik postet sapo dëgjonin për afrimin e kryengritësve. Udhëtari anglez E. Spenser, që udhëtonte në këtë kohë nëpër Shqipëri, shkruante: “Heroi i ditës kudo është Gjoleka”. Për të siguruar suksesin e plotë të kryengritjes, Komiteti i Lidhjes u përpoq të gjente edhe një aleat të jashtëm. Për këtë qëllim ai iu drejtua Greqisë, marrëdhëniet e së cilës me Stambollin në këtë kohë ishin acaruar. Qeveria greke tregoi interesim të veçantë për kryengritjen shqiptare, jo vetëm sepse përpiqej t’i shkaktonte vështirësi Turqisë duke nxitur shqiptarët, duke u premtuar edhe ndihma materiale e financiare, të vijonin luftën, por edhe sepse synonte që ta vinte kryengritjen shqiptare në shërbim të saj për të realizuar lakmitë territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut, që ishin shpallur zyrtarisht qysh më 1844 me të ashtuquajturën Megali Idea (Idea e Madhe). Këto qëllime ishin shkaku që bisedimet ndërmjet Zenel Gjolekës dhe kryeministrit grek J. Koletis nuk patën sukses. Bisedimet shqiptaro-greke dhe rreziku që mund t’i vinte nga një aleancë e mundshme ushtarake ndërmjet kryengritësve e Greqisë e shtynë Portën e Lartë të vepronte më me vendosmëri për ta nënshtruar sa më parë Toskërinë. Sulltani i shpalli “fermanllinj” Zenel Gjolekën e pasuesit e tij. Një ushtri prej 15 mijë vetash u nis nga Manastiri në drejtim të Beratit. Zenel Gjoleka e Tahir Çapari, në krye të 1 500 kryengritësve, më 28 gusht 1847 i dolën përpara ushtrisë osmane prej 5 000 vetash, që ishte nisur nga Janina. Pas përleshjes që zhvilluan me të në fshatin Dholan, në verilindje të Janinës, i shkaktuan asaj disfatë. Me këtë fitore para kryengritësve u hap rruga për në Janinë, të cilën mund ta merrnin edhe për shkak se garnizoni i qytetit përbëhej në shumicë nga ushtarë shqiptarë. Por marshimi i mëtejshëm i kryengritësve drejt Janinës u ndal për shkak të lajmit se forcat e tjera ushtarake osmane po përparonin nga Manastiri drejt Beratit e Mallakastrës. Zenel Gjoleka u hodh në Labëri, ku ishin drejtuar forcat e shumta osmane. Kryengritësit e udhëhequr nga Rrapo Hekali goditën forcat ushtarake të komandantit të Rumelisë gjatë rrugës drejt Beratit, në afërsi të këtij qyteti. Sapo ushtria turke iu afrua qytetit, garnizoni i rrethuar doli nga kalaja dhe sulmoi kryengritësit në qytet. Duke u ndodhur midis dy zjarresh dhe përballë fuqive shumë më të mëdha, kryengritësit u tërhoqën nga qyteti në rrethet e tij dhe vijuan luftën të ndarë në çeta më të vogla e me sulme të befasishme. Nga Berati ushtria osmane u hodh në Vlorë për t’u bashkuar me pjesën tjetër që kishte ardhur nga deti dhe për të ndarë forcat kryengritëse të Rrapo Hekalit nga ato të Zenel Gjolekës. Prej andej ushtria u drejtua për në Labëri, ku nuk hyri dot nëpërmjet Grykës së Kuçit, sepse aty ishin përqendruar kryengritësit e Zenel Gjolekës, por nga ana e Mesaplikut. Ushtria osmane dogji fshatrat Bolenë, Kuç, Kallarat etj. Reparte të tjera ushtarake osmane zbarkuan në Himarë për t’u rënë kryengritësve prapa krahëve. Në kushte të tilla edhe Zenel Gjoleka i ndau kryengritësit në çeta më të vogla. Njëra prej tyre u ndesh me forcat osmane në fshatin Palavli, në fushë të Delvinës. Ndonëse luftuan me trimëri, kryengritësit u thyen përballë ushtrive të shumta armike. Me shtypjen e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut, trupat osmane përdorën gjerësisht terrorin mbi popullsinë, duke e vijuar ekspeditën ndëshkuese edhe gjatë dimrit 1847-1848. Ato mundën të shtinin në dorë udhëheqësit kryesorë të kryengritjes, si Rrapo Hekalin me të vëllanë Hamitin, Tahir Çaparin dhe mbi 1 000 luftëtarë të tjerë, të cilët i burgosën dhe i internuan. Rrapo dhe Hamit Hekali vdiqën në burg, ndërsa Zenel Gjoleka me një grup besnikësh u tërhoqën në Greqi, ku gjetën strehim. Ushtria turke arriti të shuante njërën pas tjetrës vatrat e qëndresës edhe në trevat e tjera. Qeveria osmane ndërmori atëherë zbatimin e sistemit të ri tanzimatist në Shqipërinë e Jugut. Kryengritja e 1847-ës shënon një shkallë më të lartë të lëvizjeve çlirimtare kundër Tanzimatit si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga shtrirja e organizimi i saj. Ajo dallohet në radhë të parë për rolin aktiv të masave fshatare në drejtimin e saj. Kjo kryengritje luajti një rol të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve si një tërësi etnike me interesa të përbashkëta, pavarësisht nga feja e krahina, ashtu siç ishte vendosur në kuvendin e Mesaplikut. Ideja e bashkimit u shpreh edhe në këngët popullore që iu kushtuan kryengritjes. Në një nga këto këngë poeti popullor i drejtohet Zenel Gjolekës me fjalët “sos lëfton për vete, / por për gjithë vilajete” dhe vë në dukje se udhëheqësi trim nuk lufton “as për mua, as për ti, / po për gjithë Shqipëri”. Duke folur për këtë kryengritje, Sami Frashëri vinte në dukje që ajo kërkoi bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një Shqipëri autonome. Në folklor gjejmë mjaft të dhëna edhe për karakterin shoqëror të kësaj kryengritjeje të drejtuar, ashtu si edhe të tjerat, kundër grabitjes nga shteti osman dhe nga feudalët e mëdhenj vendas. “Nizam e xhelepe s’ka / është vendi fukara”, thuhet në një këngë. Dhe në një memorandum, të hartuar nga krerët e lëvizjes më 15 gusht 1847, kryengritësit vinin në dukje se nuk kishte kush të përkujdesej për “fakir fukaranë”.
|
|
|
Post by todhrimencuri on May 16, 2009 15:03:55 GMT -5
Kryengritja e Dervish Carës (1843-1844). Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut
Në vitet 1843-1844 Kosova dhe trevat lindore shqiptare u bënë vatër e njërës prej kryengritjeve më të fuqishme kundërosmane të gjysmës së parë të shek. XIX, e cila, sipas emrit të udhëheqësit të saj, është quajtur Kryengritja e Dervish Carës. Në Shqipërinë e Veriut reformat e Tanzimatit u shpallën zyrtarisht në vitin 1843. Shpallja e tyre shkaktoi një valë të re kryengritjesh që morën shtrirje të gjerë ndërkrahinore. Qendra kryesore të tyre mbetën qytetet. Zëvendësimi i funksionarëve shqiptarë me nëpunës të huaj dhe urdhri për rekrutimin e ushtarëve nizamë ishin dy shkaqet e drejtpërdrejta të shpërthimit të kryengritjeve në këtë zonë. Në verën e vitit 1843 ngritën krye banorët e Prizrenit, që dëbuan nëpunësit e rinj turq. Këtë ngjarje e ndoqën kryengritjet në Prishtinë e në Gjakovë. Ushtria osmane e përforcuar kundërveproi menjëherë dhe nuk e pati të vështirë t’i shtypte këto lëvizje lokale. Veprimet e ushtrisë u shoqëruan me terror e grabitje. Kryengritja e Dervish Carës filloi në Shkup më 21 korrik dhe u zgjerua më shumë në gusht të vitit 1843, kur, me ardhjen e forcave osmane nën drejtimin e Hajredin Pashës, u shtuan përpjekjet për rekrutimin e ushtarëve të rinj. Kryengritësit hynë në konflikt të armatosur me ushtrinë osmane. Në nëntor kryengritësit çliruan Gostivarin, ndërsa në fillim të janarit 1844, pas luftimeve të ashpra, çliruan Tetovën. Këtu, si në Gostivar, u vendos pushteti i kryengritësve dhe shtabi i saj, me Dervish Carën në krye. Kryengritja, përveç Dervish Carës, udhëhiqej edhe nga komandantë të tillë, si Emin Xhambazi, Sulejman Toli (Tërnova), Selman Rogoçica, Emin Bojana, Ymer Presheva, Baba Feka, Sejdi Mexha, Bajram Vaksinca etj. Në shkurt 10 000 kryengritës të armatosur hynë në Shkup, e çliruan atë, formuan këtu një Këshill të kryengritjes dhe përqendruan pushtetin në duart e veta. Agjitatorë në vise të ndryshme të Kosovës, si në Vranjë e Leskovc, i bënin thirrje popullsisë të hidhej në luftë kundër pushtetit osman. Të tjerë ishin dërguar në krahinat fqinje për të siguruar mbështetjen e popullsisë së tyre. Udhëheqësit e kryengritjes u bënë thirrje që të ngriheshin kundër sundimtarëve osmanë edhe banorëve të krahinave të tjera të Shqipërisë, duke theksuar me këtë rast se ata duhej të bashkoheshin me kosovarët, sepse ishin vëllezërit e tyre. Në fillim të shkurtit u çlirua Kumanova, ku me kryengritësit u bashkua edhe popullsia maqedone. Pas Kumanovës u çliruan Presheva, Bujanovci, Vranja, Gryka e Kaçanikut, Leskovci e viset e tjera veriore të Kosovës. Në muajt e parë të vitit 1844 kryengritja u përhap në Pejë, në Gjakovë, në Prizren e deri në Shkodër, ndërsa në pranverën e vitit 1844 kryengritja kishte përfshirë të gjitha trevat shqiptare, nga Manastiri e Ohri në jug deri në skajet veriore e verilindore të Kosovës, në të cilat shqiptarët vendosën pushtetin e tyre. Garnizonet ushtarake turke u detyruan të mbylleshin në kështjellat e qyteteve. Shtrirja e kryengritjes dhe fitoret e saj në Kosovë e në Fushën e Pollogut ngjallën shpresa edhe në popullsinë e krahinave të tjera të vendit. Qeveria osmane i trëmbej përhapjes së saj të mëtejshme dhe shndërrimit në një kryengritje të përgjithshme shqiptare. Prandaj autoritetet osmane hynë në bisedime me udhëheqësit e kryengritjes. Gjatë bisedimeve kryengritësit i kërkuan Stambollit të anulonte ligjin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të zëvendësonte funksionarët osmanë të pushtetit lokal, që nuk dinin gjuhën shqipe, me nëpunës shqiptarë dhe të njihte autonominë e Shqipërisë, në suazat e Perandorisë Osmane, ashtu siç ishte njohur autonomia e Serbisë më 1830. Këto kërkesa nuk u pranuan nga Stambolli, prandaj bisedimet dështuan. Ndërkaq, Porta e Lartë, krahas përgatitjeve ushtarake për shtypjen e kryengritjes, shpalli edhe një amnisti për ata që do të dorëzonin armët dhe premtoi se nuk do të përdorej forca për rekrutimin e ushtarëve të rregullt. Me këto masa ajo synonte të ngjallte lëkundje në radhët e kryengritësve. Porta e Lartë, nga njëra anë, premtoi se do të hiqte dorë nga nizamët e tatimet e reja, ndërsa, nga ana tjetër, filloi të sjellë forca të shumta që i përqendroi në Manastir. Për të shmangur kthimin e saj në një kryengritje të përgjithshme, me përmasa mbarëshqiptare, Porta e Lartë përqendroi në Manastir 32 000 ushtarë, të komanduar nga Omer Pasha, që më 18 maj kaluan në mësymje kundër kryengritësve dhe i detyruan ata të tërhiqeshin drejt Shkupit, Tetovës, Kumanovës e Karadakut (Malit të Zi) të Shkupit. Luftime të ashpra u zhvilluan në Grykën e Katllanovës nga 13-17 maj 1844. Përleshja më e përgjakshme ishte ajo që u bë më 18 maj në afërsi të Banjës së Katllanovës, në të cilën u vendos fati i kryengritjes në Fushën e Shkupit. Pas një qëndrese të fuqishme kryengritësit, të ndodhur përballë një ushtrie që kishte epërsi teknike, që përdori gjerësisht artilerinë, u detyruan të tërhiqeshin. Pas luftimesh të ashpra që vijuan edhe pas kësaj beteje, më 21 maj ushtria osmane, që kishte epërsi mbi kryengritësit, arriti të merrte Shkupin, ku bëri arrestime të shumta të pjesëmarrësve të kryengritjes, një pjesë e të cilëve u dërgua për t’u gjykuar në Stamboll. Në maj-qershor ushtritë osmane të Omer Pashës, pas luftimesh të rrepta me kryengritësit, pushtuan Tetovën, Gostivarin, Kumanovën, Preshevën, Bujanovcin dhe Vranjën, ndërsa në mesin e korrikut morën të gjitha qendrat nga Kaçaniku deri në Prishtinë. Prej andej u hodhën për të shtypur qëndresën e kryengritësve në Prizren, në Pejë, në Gjakovë e në Shkodër, ku bënë arrestime të shumta. Kryengritësit kudo u bënë ushtrive osmane një qëndresë të ashpër, e cila qe më e fuqishme në Kërçovë, në Tetovë e në Gostivar. Me rivendosjen e pushtetit osman në këto qytete u arrestuan shumë udhëheqës të kryengritjes. Pas shtypjes së kryengritjes, në korrik 1844, Shqipëria, sipas dëshmive të bashkëkohësve, trajtohej më shumë si vend i pushtuar sesa si provincë e Perandorisë Osmane. Pas përfundimit të kryengritjes në Kosovë e në Pollog, ushtria osmane, në vjeshtën e vitit 1844, u përqendrua në sanxhakun e Dibrës, popullsia e të cilit ishte hedhur në kryengritje kundër zbatimit të reformës ushtarake dhe anulimit të vetëqeverisjes lokale të krahinës. Por forcat e komanduara nga Rexhep pashë Tetova u thyen nga kryengritësit në fushën e Mavrovës. Pas këtyre ngjarjeve Stambolli hodhi në këtë krahinë ushtri të shumta, të komanduara nga Hajredin Pasha. Përfaqësuesit e kryengritësve thirrën në nëntor 1844 kuvendin e tyre në Fushën e Gjoricës, që u drejtua nga Sheh Mustafa Zerqani. Në kuvend u vendos të mbroheshin të drejtat e autonomisë lokale, që popullsia gëzonte prej kohësh. Kuvendi i bëri thirrje për t’u bashkuar me kryengritësit dibranë edhe popullsisë së krahinave të Kosovës, të Mirditës, të Elbasanit e të Gjakovës, ku Porta po mblidhte forca për t’i hedhur kundër tyre. Gjatë muajit nëntor 1844 kryengritësit dibranë e matjanë, të komanduar nga Cen Leka, u zunë rrugën ushtrive osmane të komanduara nga Hajredin Pasha. Por përballë forcave numerikisht të shumta turke dhe të pajisura me artileri kryengritësit u tërhoqën në luginën e lumit Drin. Ndërkohë, Hajredin Pasha, për t’i përçarë shqiptarët, shpalli se të gjithë ata që do të dorëzonin armët, do të liheshin të lirë dhe se nuk do të rekrutonte nizamë. Ky premtim zuri vend te një pjesë e krerëve, por shumica e tyre e vazhdoi qëndresën. Luftime të ashpra, që zgjatën 5 ditë të tëra, u zhvilluan në nëntor në fshatin Gjoricë, ku krahas burrave luftuan edhe gratë e fëmijët. Ato përfunduan me humbje të mëdha për të dyja palët e sidomos për ushtrinë osmane. Megjithatë, falë epërsisë numerike e teknike, ushtria osmane, pas luftimesh të përgjakshme, i detyroi kryengritësit të tërhiqeshin nga pozitat e tyre. Për t’u hakmarrë forcat osmane dogjën fshatra të tëra, të braktisura nga fshatarësia, e cila largohej për t’i shpëtuar terrorit të egër të ekspeditës osmane. Ndonëse kryengritja e sanxhakut të Dibrës u shtyp, Porta e Lartë u detyrua ta përjashtojë këtë krahinë nga reforma ushtarake deri në vitet 50 të shek. XIX, po ashtu si trevën e Shkodrës. Lufta e vendosur e dibranëve pati jehonë në viset e tjera shqiptare. Në mesin e majit të vitit 1845 rreth 2 000 malësorë të krahinës së Gjakovës u ngritën kundër qeveritarit të saj dhe e detyruan atë të largohej nga qyteti për në Prizren. Kryengritja u përhap në viset malore të Rekës, të Bytyçit, të Gashit, të Tropojës dhe të Krasniqit, që u ngritën nën udhëheqjen e Binak Alisë dhe të Sokol Aramit. Rreth 8 000 kryengritës sulmuan në maj të atij viti qytetin e Gjakovës dhe e çliruan atë. Por valiu i Rumelisë hodhi kundër tyre ushtri të shumta dhe mjaft mercenarë, të rekrutuar nga viset malore të Shqipërisë së Veriut. Pas luftimesh të përgjakshme, që vazhduan mbi një muaj, kryengritja u shtyp. Mehmet Reshit pasha urdhëroi arrestimin e atyre që kishin marrë pjesë në kryengritje. Në të njëjtën kohë sulltani, për të qetësuar gjendjen, fali rreth 2 000 shqiptarë, të burgosur në Stamboll pas shtypjes së kryengritjeve të viteve të fundit. Megjithëse ushtria osmane i shtypi kryengritjet shqiptare të këtyre viteve, Porta e Lartë, edhe pse e shpalli Tanzimatin, u detyrua ta ndërpriste edhe për disa vjet zbatimin e sistemit të ri në Shqipërinë Veriore.
|
|
|
Post by todhrimencuri on Jun 4, 2009 19:13:29 GMT -5
Zenel Gjoleka
|
|